AKTUALITET, 14 Qershor 2019, 13:34

Bashkia e Kukësit nis zbatimin e vendimit të Metës, kërkesë KQZ për lirimin e ambienteve


Pas botimit në fletoren zyrtare të dekretit të presidentit Ilir Meta për aluminin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, autoritetet vendore nisin punën për zbatimin e dekretit te presidentit.

Përmes një shkrese drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kreu i bashkisë së Kukësit Bashkim Shehu kërkon lirimin e menjëhershëm të ambienteve të KZAZ nr.11 pranë qendrës kulturore ‘Hasan Prishtina’si edhe palestrës sportive të shkollës së Mesme të Përgjithshme ‘Havzi Nela’.

Gjithashtu në shkresë kryebashkiaku i Kukësit kërkon nga KQZ heqjen e listës së zgjedhësve të afishuar në institucionet arsimore.

Vlen për t’u theksuar se PD fitoi bashkinë e Kukësit në zgjedhjet vendore të 2015, me të besuarin e saj, Bashkim Shehu për drejtimin e qytetit.

Ndërkohë mbetet për t’u parë se si do të veprojnë Bashkitë të cilat në zgjedhjet e kaluara janë fituar nga të majtët, të cilët një ditë më parë miratuan në parlament rezolutën përmes së cilës e konsiderojnë nul, dekretin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve.