AKTUALITET, 14 Qershor 2019, 13:27

Sulmoi policinë me armë dhe i shpëtoi dy herë vdekjes, ky është Ardian Çapja/ Koka e fisit që u shoqërua sot

Sulmoi policinë me armë dhe i shpëtoi dy herë vdekjes, ky


Koka e familjes Çapja, Ardian Çapja është shoqëruar ditën e sotme nga policia në kuadër të një operacioni të zhvilluar në Elbasan nga FNSH-ja.

Por 51-vjeçari, pjesë e fisit të njohur dhe të skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në Elbasan nuk është një emër i panjohur për policinë.

Ai u ka shpëtuar dy atentateve ku persona ende të paidentifikuar kanë tentuar ta eliminojnë.

Në dhjetor të vitit 2017, Ardian Çapja i shpëtoi breshërisë së automatikut që u shkrep nga persona që e ruanin prej kohësh.

Ata dinin me saktësi orën se kur hynte dhe dilte Ardiani nga banesa dhe kanë ndërhyrë në momentin kur Ardian Çapja po dilte nga banesa e tij. Ata kanë qëlluar nga një distancë e largët në momentin kur 49-vjeçari ka qenë pranë derës.

Ardian Çapja sapo dëgjoi të shtënat është futur në banesë dhe kështu ka shpëtuar nga ky atentat.

Më pas atentatorët janë larguar me shpejtësi duke djegur mjetin në lagjen “5 Maji”. Automjeti tip “Benz” rezultoi i vjedhur.

Ndërsa po në muajin gusht të këtij viti, persona ende të pa identifikuar tentuan ta eliminojnë Ardian Çapjan me lëndë plasëse. Por predha e vendosur në automjetin e tij më 6 gusht 2017 nuk arriti të shpërthente.

Ardian Çapja është akuzuar gjithashtu edhe për sulm me armë zjarri ndaj policisë.

Ngjarja ka ndodhur në qershor 2016 pranë hotel “Univers” në Elbasan. Ardiani ndoqi për një kohë të shkurtër disa agjentë policie që e mbanin nën vëzhgim. Ai u bëri me shenjë të ndalonin dhe më pas nga dera e pasme e tij, ka dalë një person i cili ka qëlluar me pistoletë xhamin e pasmë të makinës së policisë.

Pastaj ka patur një shkëmbim zjarri dhe është dashur ndërhyrja e FNSH-së për të qetësuar situatën. Në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça.

Por Ardian Çapja nuk është i vetmi person nga fisi i tij që ka pasur problem me policinë.

Naim Gjarri dhe Enver Çapja janë arrestuar në muajin nëntor të vitit të kaluar. Dy ‘të fortëve’ iu sekuestruan mina me sahat, fishekë dhe pistoleta.

Arrestimi i tyre erdhi një ditë pas atentatit që iu bë Albert Alterziut. Policia deklaroi atëherë se dy të fortët e Çapjave po përgatiteshin të eliminonin me lëndë plasëse një person identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Ndër vite, familja Çapja është akuzuar si e përfshirë në ngjarje kriminale, por edhe ka qenë pre e tyre.