TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Me një pushtet që i ngjan një regjimi, kur Edi Rama vihet në qendër të skandaleve mbytëse, instrumentet e pushtetit kthejnë në vëmendje si papritur të ashtuquajturin ‘lobimin në SHBA’ nëpërmjet rusëve të PD-së, i kthyer në një kamerdare shpëtimi për kryeministrin vitet e fundit.
E pikërisht ky rikthim në vëmendje i kësaj çështje më ashpër se më parë, pasi Lulzim Basha është marrë i pandehur, duhet të na shërbejë si njësi matëse e sikletit që e ka zënë Ramën para zgjedhjeve.
Sot, në një bashkëbisedim me banorë të njësisë nr.11 në Tiranë, dikush i tha Ramës se Basha është marrë i pandehur. Si për çudi Rama i përgjigjet: “Pse është marrë i pandehur ai? Se paskam parë këtë lajm”.
Më tej pyeti Ulsi Manjën për akuzën. Ky i fundit tha se akuzat janë dy: Falsifikim formulari dhe pastrim parash.
“Ai ka dalë 7 herë dhe ka thënë gjëra të ndryshme”,- tha Rama në lidhje me lobimin rus.
Por ku qëndron problemi me këtë qëndrim ‘të pafajshëm’ të Ramës?
Duhet të kujtojmë se kur është hapur çështja e lobimit në SHBA.
Së pari, kur kërkohej arrestimi i Saimir Tahirit për trafik ndërkombëtar droge dhe Edi Rama pengonte prokurorinë të bënte detyrën, duke i kërkuar prova që t’i hiqte imunitetin Tahirit.
Së dyti, kur plasi skandali i vëllait të Fatmir Xhafës, i akuzuar si trafikant ndërkombëtar droge, ku dhe u provua më pas se Qeveria kishte manipuluar hetimet.
E së fundmi, çështja u risoll në vëmendje të opinionit publik, kur u provua bashkëpunimi i Vangjush Dakos për të blerë votat me Astrit Avdylajn, kreun e një grupi të njohur kriminal të Shijakut.
I gjithë ky patern lëvizjesh me çështjen e lobimit në SHBA nuk është rastësor. Por, edhe nëse i japim kryeministrin benefitin e dyshimit, duke marrë të mirëqenë se Rama nuk e ka urdhëruar rishfaqjen e kësaj dosje tani që është i zënë ngushtë, ka sërish diçka që nuk shkon.
Ne e njohim Ramën si kryeministër prej gjashtë vitesh. E duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një kryeministër që ka provuar se ka kohë ti përgjigjet çdo akuze, madje edhe komenteve të panumërta në Facebook, qëndrimi i tij prej shejtani budalla, sikur nuk ka dëgjuar për lajmin më të rëndësishëm të pasdites së djeshme, nuk është gjë tjetër veçse një aktrim i radhës në teatrin e stërgjatur të qeverisjes së tij.
Duke llogaritur të gjitha këto, habia e kryeministrit kur pretendon se nuk është në dijeni se kundërshtari i tij politik rrezikon të dënohet deri në 20 vite burg për falsifikim e pastrim parash, e bëjnë atë habi të një klouni që s’di se ç’fsheh poshtë dore në një show, jo vetëm të lodhshëm, por tashmë edhe të fëlliqur. /Lapsi.al