AKTUALITET, 21 Dhjetor 2018, 16:50

Basha-Ruçit:Vendos rregull,karagjozllëqet i marrin nga shefi

Basha-Ruçit:Vendos rregull,karagjozllëqet i marrin nga shefi

I ashpër ka qenë fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ndërsa nga foltorja e Kuvendit lëshoi një lumë akuzash në drejtim të qeverisë ‘Rama’.

Lideri i PD-së pohoi se rivali i tij politik, Edi Rama ka lidhje me kriminelë, dhe kjo vetëm për faktin sipas tij për të marrë pushtetin. Basha tha se kriminelë të veshur me petkun e deputetit janë të pranishëm në Kuvend.

Gjatë fjalës së tij Basha i kërkoi kryeparlamentarit Gramoz Ruçit që të vinte rregull në sallën e Kuvendit, pasi deputetët e PS-së po bënin zhurmë. “Karagjozllëqet i marrin nga shefi”, tha Basha.

Mes të tjerash Basha foli me emra, duke përmendur disa të larguar nga PS-së, që nga Elvis Rroshi, tek Amando Prenga.

“Ndodhemi në një moment ‘deja vu’. Tre vite më parë nga kjo foltore Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij ju thanë të njëjtat fjalë. Dekriminalizmi është antikushtetues, bën pis Shqipërinë. Tre vite më parë nga kjo sallë dhe nga mbarë salla të tjera të vendit PD, denoncoi persona me rekorde kriminale. Njerëz nga PS u sollën këtu në këtë sallë, me rekorde kriminale u bënë drejtorë të mëdhenj në dogana, tatime. Merita e vetme e këtyre njerëzve nuk ishte as artikulimi politik, e as vizioni për të ndihmuar bashkëqytetarët. Këta njerëz kishin qenë në burg për dhunimin e bashkëqytetarë e të tyre, për shitjen dhe trafikimit të vajzave dhe grave shqiptare, si në rastin e Elvis Rroshit, Armando Prengës, e Mark Frrokut. Një pjesë tjetër për helmimin e brezit të ri përmes trafikut të drogës. Edi Rama i dha çelat e qeverisjes llumit të shoqërisë. Pasi i përdori ata nën sloganin e bashkimit për të gjithë qelbësirat për të marrë pushtetin. Kjo nuk është as shprehje e retorike e imja, as sajesë. Fatura që kanë paguar shqiptarët në këto 5 vite është para syve tuaj, para xhepave tuaj. Më shumë se gjysma e banorëve duan të largohen. Kjo pasi aleanca e Ramës me krimin shkaktoi krizën më të thellë politiko-ekonomike. Për 2 vite me radhë Rama dhe të njëjtët folës si sot i rezistuan projekti të dekriminalizimin që PD solli si zgjidhje. Kjo sallë u pastrua nga një sërë kriminelësh. Në parlament këtu në këtë anë të parlamentit, në krye të shtetit kemi vëllezërit e mafiozëve, ushtarët e krimit, bashkëpunëtorët e trafikantëve.

Basha tha se vettingu në politikë do jetë njësoj si vettingu për gjyqtarët dhe prokurorët dhe do tregojë se kush janë ata që nuk e duan dhe duan të dalin mbi ligjin. Basha tha se pa ndarjen e politikes me krimin, dyert e Evropës do vazhdojnë të mbeten të mbyllura.

“Sot opozita do votojë amendamentin kushtues i cili propozon të një zgjidhje si ai që kemi votuar për gjyqtarët dhe prokurorët. Ligjin për vettingun në polici do e kishim votuar që të niste me ministrin e brendshëm. Asnjë ndryshim nuk ka vettingu në politikë nga vettingu për gjyqtarët dhe prokurorët… Mbaj rregull Ruci. Vendos rregull. Karagjozllëqet i marrin nga shefi këta. Shqiptarët e kuptojnë se sot nga kjo sallë një vetting do të bëhet dhe do merret vesh se cilët politike duan të jenë mbi ligjin dhe nuk duan t’i nënshtrohen këtij testi. Kemi një deputet Ergys Çyrbja që është konfirmuar që është pjesë e bandave. Kemi Fatmir Xhafajn që ndihmoi vëllain e tij. Kemi atë që do të flas pas meje që ka thënë se ka një mik trafikant. Kemi Alket Hysenin që ka rrëmbyer toka në Dhërmi. Kemi Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin, kemi Dakon e 339. Kemi Saimir Habilajn dhe natyrisht kreun e kësaj pune Edi Ramën. Pa ndarjen e politikes me krimin, dyert e Evropës do vazhdojën të mbeten të mbyllura. Vettingu i politikanëve duhet të bëhet sipas Venecias. Ja ku jemi. Venecia ka hapur dritën jeshile dhe duhet të punohet që ky ligj të votohet në këtë sallë. Këta nuk e duan vettingun sepse për shumë kjo do të thotë fundi i karrierës së tyre politike”- tha Basha.