AKTUALITET, 21 Dhjetor 2018, 14:31

Vetingu, Dash Shehi: Mos kini frikë! Ai që vjen nga llumi, në llum do të shkojë

Vetingu, Dash Shehi: Mos kini frikë! Ai që vjen nga llumi, në

Deputeti i LZHK-së Dashamir Shehi ftoi deputetët të votojnë për draftin për vetingun në politikë. Duke iu drejtuar mazhorancës, ai tha se i ka të gjitha mundësitë që të futë në burg të korruptuarit e PD, por nuk e bën, pasi ata janë jorgani që i mbulon ata për zullumet që bëjnë në qeveri.

Dashamir Shehi: Ne kemi një situatë të veçantë në Shqipëri dhe që është majisur dhe ka kaluar përtej kontrollit.

Këtu përballë kemi një vend si Italia, i cili nuk shkëlqen as për institucione të pavarura, as për pastërtinë në nivel administrate, është një vend i infektuar nga mafia, por ka 40 vjet që bën luftë me mafien. Herë fiton shteti herë mafia, por bën luftë. Ndërsa këtu te ne mafia është ulur këmbëkryq, prandaj duhet disa masa specifike.

Prandaj jemi ngritur këtu me një propozim që 10 vjet më parë apo 10 më vonë do të dukej i pavend.

Unë do tu thoja mos kini frikë. Ky justifikimi i vazhdueshëm i kësaj mazhorance që ju keni bërë zullume dhe nuk ju janë dënuar zullumet...ky është justifikim për ju. Se këtu jeni 5 vjet e gjysmë, gjykatësit e keni pasur, policët i keni pasur, hetuesit i keni pasur, i kishit futur në burg ata që do të kishit futur nga ky krahu, që të mos keni me ça të mbuloheni më. Po ky është një sistem i vjetër korruptiv, që kush vjen prapa qit një letër, se kam dy letra unë për ty.

Kush ka letra nga ky krahu, kush e meriton le të hyjë në burg. Jo ti fshihni ju për të mbuluar tuajat. Ky është realiteti normal në Shqipëri. Paskan qenë të korruptuarit këtu? Hajde ti pastrojmë të korruptuarit. Ndërsa ju keni qejf vetë, sepse ky është jorgani juaj. Se meqë disa këtu mund të kenë bërë zullume mund të bëni të gjithë ju zullume duke qëndruar rehat. Kjo është teknikë e vjetër. Unë që kam vite në këtë sallë, sa herë xhiron shteti kjo përdoret. Ata përpara nesh ishin më të keqinj sesa ne. Jo nuk është ashtu, Gjithsekush duhet të mbajë pjesë e vet. Nëse këtu ka nxirreni, i keni të gjitha në dorë. Pse nuk i nxirrni? Sepse ajo është batanija që ju mban ngrohtë.

Drejtësia i ka të gjithë mundësitë e veta, mos e ngatërroni farë me këtë punë. Ne nuk kemi besim tek ata, por janë vënë. Koha do ti japë mundësi atyre që të tregojnë a janë të ndershëm apo jo. Ne dimë që janë me ju, janë të majtë, por kjo nuk do të thotë se janë automatikisht hajdutë.

Këtu janë bërë shumë pasanikë, disa hiqen për të ndershëm, disa për intelektualë. Ne jemi popull i vogël dhe e njohim njëri-tjetrin. E dimë se nga vijnë dhe nga kanë ardhur, ku do shkojnë, pse janë këtu? Po ju them fjalën e një filozofi, asnjë nuk është i pasur sa të blerë të kaluarën e vet. Ai që vjen nga llumi në llum do shkojë dhe nuk e bën të nderuar kjo sallë. Kanë hyrë e kanë dalë shumë këtu, ditën që janë bërë pis kanë dalë nga kjo sallë dhe i keni cepave të Tiranës. Para mund të kenë, por fytyrë nuk kanë më.

Duke komentuar thirrjet e Berishës për të rrëmbyer armët, deputeti tha: Pas kësaj punës së këngës, se fillon bëhet serioze kjo çështje. Rrini të qetë se ne që jemi këtu kur ishte kjo puna e armëve e mbyllëm dhe e bëmë me letra demokracinë. Kështu që rrini të qetë se nuk ka për të marrë njeri armën. Përtej pasionit të Berishës, rrini të qetë. Ishte koha për të marrë armët dhe nuk i morëm.