AKTUALITET, 21 Dhjetor 2018, 14:17

Media izraelite: Dy diplomatët iranianë po përgatisnin atentat ndaj Benjamin Netanyahut

Media izraelite: Dy diplomatët iranianë po përgatisnin atentat

Disa ditë më parë kryeministri Edi Rama vendosi të dëbojë nga vendi ynë ambasadorin e Iranit dhe një zyrtar tjetër të këtij shteti në Shqipëri.

Edhe pse nuk pati një deklaratë zyrtare nga ana e qeverisë, në media u tha se vendimi ishte marrë për shkak se dy zyrtarët po planifikonin sulme terroriste në vendin tonë.

Sipas medias ‘’The time of Izrael” targeti i sulmit të dy iranianëve ka qenë pikërisht kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili rreth një muaj më parë anuloi dhe një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Asokohe u tha se vizita e kryeministri izraelit nuk kishte ardhur në Shqipëri, për shkak se kishte ndërruar jetë ministri i tij i Financave, gjë që nuk qëndronte pasi Netanyahu u shfaq pak ditë më pas në një takim me liderit e rajonit ballkanik, ku Edi Rama mungonte.

Media nuk jep detaje të tjera lidhur me këtë sulm , po shton se vetë Netanyahu e ka përshëndetur vendimin e Ramës për largimin e diplomatëve, duke thënë se duhet t’iu jepet fund akteve komplotiste nga Irani.

“Lajm i rëndësishëm nga Shqipëria sot. Kryeministri Edi Rama ka dëbuar ambasadorin Iranian në Tiranë. Me këtë veprim Rama u ka dërguar një mesazh të qartë regjimit islamik radikal Iranian – që komplotimi i sulmeve terroriste ka kosto. Izraeli qëndron përkrah Shqipërisë dhe çdo shteti që e sheh regjimin Iranian ashtu siç është: Rreziku më i madh për paqe dhe siguri në botë”, shkruante dje në Twitter kryeministri Izraelit.