AKTUALITET, 23 Nëntor 2017, 13:41

Basha parajalmëron Ramën: Nuk do lejojmë një kryeprokuror të zgjedhur nga Tahiri

Basha parajalmëron Ramën: Nuk do lejojmë një kryeprokuror

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ripërsëritur edhe një herë akuzat kundër kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, Rama mbështet krimin e organizuar, i cili është një  kërcënim serioz për destabilizimin e vendit. Për Bashën, dekriminalizimi duhet të nisë nga Edi Rama. “Hapi i parë është largimi i Edi Ramës. Ai është pengresa kryesore për drejtësinë dhe luftën kundër krimit. Qëllimi i tij është vetëm mbajtja e pushtetit. Mbrojtja politike dhe shmangia nga drejtësia e gjithë bashkëpunëtorëve të tij, e tregon këtë. Po kështu liria e Tahirit, dekonspirimi kriminal nga ministria e brendshme për operacionin për kapjen e katër ish-shefave të policisë, është një tjetër element”, tha Basha.

Basha shtoi se fakti së në krye të Ministrisë së Brendshme është vëllai i Agron Xhafës, tregon se Rama është në krye të krimit për ta mbrojtur atë me çdo kusht.

“Kapja e prokurorisë nga Rama tregon se këto organe do mbyllin të gjitha hetimet e kokave të krimit, Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Agron Xhafaj. Manipulimi i opinionit publik vendas dhe të huaj është një tjetër element që Rama po përpiqet me çdo kusht të mbajë pushtetin”, tha ai.

Më pas shtoi se këmbanat për Ramën po bien dhe se me një prokurori dhe drejtësi të pavaruar, Edi Rama e di se nuk shpëton dot.

Në fund Basha deklaroi se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që kryeprokurori të emërohet nga Rama dhe me votën e Saimir Tahirit.

“Qëndrimet tona kanë qenë dhe janë të qarta. Prokurorin e Përgjithshëm, nuk mund ta emërojë Edi Rama. As deputetët e PS-së që e mbrojtën duke i mbajtur imunitetin Tahirit, nuk mund të emërojnë dot Prokurorin e Përgjithshëm. Ne nuk do ta lejojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë. Kjo bie në konflikt total me Kushtetutën dhe Reformën në Drejtësi. Edhe Tahiri ka të drejtë të votojë dhe i bie që ai të votojë për emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm”, tha Basha.

TPZ.AL