BALLKAN, 8 Tetor 2022, 16:35

Vuçiç zbulon se ç’parashikon plani franko-gjerman për Kosovën

Vuçiç zbulon se ç’parashikon plani franko-gjerman

Prej kohësh flitej se udhëtimi në Ballkan i dy këshilltarëve të kancelarit gjerman dhe presidentit francez mbante edhe një paketë zgjidhjeje për Kosovën. Por kur këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne vizituan beogradin dhe Prishtinën, takimet e tyre u mbuluan me një vello misteri. Ndonëse dyshohej se ata kishin ardhur me një propozim të ri për të shtyrë përpara dialogun dhe arritjen e marëveshjes përfundimtare, askush nuk arriti të zbulojë se cila qe zgjidhja e kompromisit që ata ofronin.

Ç’propozon Parisi dhe Berlini

Një version të saj e ka dhënë së fundi presidenti. Aleksandër Vuçiç, tha më 8 tetor një një konferencë shtypi se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”, tregoi ai para gazetarëve.

Misioni ‘sekret” i dy këshilltarëve

Por sipas tij, i cili vendoset shpesh në rolin e viktimës përpallë popullit të vet, ky propozim është i pa pranueshëm për shtetin serb. “Për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, sepse diçka e tillë do të kishte pasoja”, ka thënë mes tjerash ai.

Kur dy këshilltarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, zbarkuan në Ballkan rreth një muaj më parë për të takuar kryeministrin Kurti dhe presidentit Vuçiç zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi se qëllimi i vizitës është “të eksplorohen opsionet për përparimin e dialogut”. Këtë pohuan të sinkronizuara edhe Parisi dhe Berlini. Por përpos kësaj formule të përgjithshme nga vizita nuk rrodhën detaje të reja. Ndërsa tani Vuçiç ka treguar se dy vendet lider të BE=së kërkojnë aderim të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe pranim në OKB, në këmbim të një antarësimi më të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.