BALLKAN, 13 Prill 2024, 14:50

Vrau ish-bashkëshorten dhe plagosi vëllanë e mitur, kosovari lihet 30 ditë në paraburgim

Vrau ish-bashkëshorten dhe plagosi vëllanë e mitur, kosovari

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muajsh për të dyshuarin V.A për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij dhe plagosjen e vëllait të saj. Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt-Departamenti i Krimeve të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.A, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar 1.3 dhe 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 12 Prill 2024, rreth orës 14:40, i pandehuri brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rr. ”Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar duke e goditur disa herë me armë plumba në kokë, ndërsa ka shtënë edhe në drejtim të miturit D.C (vëllai i të ndjerës) duke e plagosur në krahë.

Po ashtu ka vlerësuar se i pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit Zoraki M 2906-T, me numër serial ZRAGY02 201100027 cal.9mm, me një karikator të zbrazur, e cila me datë 12 prill i është konfiskuar nga Policia. Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.A, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit person i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.