BALLKAN, 12 Prill 2024, 14:37

IKSHPK: Rriten rastet me kollën e mirë

IKSHPK: Rriten rastet me kollën e mirë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tha se ka regjistruar raste të reja me sëmundjen ngjitëse të kollës së mirë, apo siç njihet ndryshe edhe si pertussis.

“Gjatë vitit 2024, IKSHPK ka regjistruar 14 raste të konfirmuara me laborator të pertussisit, kryesisht te moshat e reja, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitet paraprake”, u tha në njoftim.

Më 29 mars, ky institut kishte raportuar për tetë raste të regjistruara me kollën e mirë.

“Kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1-vjeçare”, tha IKSHPK-ja.

Kjo sëmundje, që shkaktohet nga bakteri bordetella pertussis, përhapet lehtësisht nga personi në person përmes spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar.

Sipas IKSHP-së, simptomat zakonisht shfaqen shtatë deri në dhjetë ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. Simptomat janë të ngjashme me ftohjen e zakonshme, përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë.

Sipas IKSHPK-së, mënyra më e mirë e parandalimit të kësaj sëmundjeje është vaksinimi, duke u bërë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët dhe foshnjat për këtë sëmundje ngjitëse.