AKTUALITET, 18 Mars 2019, 12:28

Arta Marku: Kuvendi të miratojë ligjet, komente denigruese ndaj prokurorisë

Arta Marku: Kuvendi të miratojë ligjet, komente denigruese ndaj

Arta Marku bëri thirrje nga Durrësi që Kuvendi të miratojë sa më shpejt ndryshimet ligjore që nevojiten pas vakumit të lënë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedimet disiplinore ndaj magjistratëve.

Në fjalën që mbajti në analizën e prokurorive të Durrësit, Kavajës dhe Elbasanit, Marku bëri apel që këto ndryshime të bëhen sa më shpejt, pasi dispozita kalimtare e Prokurorit të Përgjithshëm nuk e lejon atë që hetimet disiplinore ndaj prokurorëve të shkojnë deri në fund.

“Ka shumë ankesa të qytetarëve që kanë shkuar direkt në adresë të saj dhe një pjesë pranë mediave dhe mosndërhyrja jonë ndaj prokurorëve të akuzuar është komentuar me nota denigruese”, u shpreh Arta Marku.

Ajo shtoi se kjo gjë nuk mund të bëhet për sa kohë nuk është zgjedhur Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si autoriteti i vetëm që ka të drejtën për të hetuar prokurorët, sipas ndryshimeve që vijnë me reformën në drejtësi.