TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në Shqipëri ka një shqetësim në rritje mbi lajmet e rreme që publikohen më së shumti në mediat on line. Sot në ditën ndërkombëtare të lirisë së medias, gazetarë dhe përfaqësues të bizneseve të dëmtuara nga këto lajme, tërheqin vemendjen për më shumë kujdes. Gjatë këtyre viteve, lajmet e rreme kanë shkaktuar jo pak pasoja në përballimin e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe së fundi edhe të asaj që pasoi agresionin rus në Ukrainë. Komuniteti i gazetarëve nxit vetërregullimin e medias me qëllim rritjen e cilësisë së informimit në shërbim të qytetarëve dhe të së vërtetës.
Shqipëria ka humbur 20 vende në Indeksin e Lirisë së Medias në botë të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij për vitin 2021. Ajo është renditur në vendin e 103-të nga 180 vende, duke u kthyer 9 vite pas, kur thuajse kishte të njëjtin pozicion. Sipas analistëve një prej probleme të medias sot lidhet me besueshmërinë, shpeshherë e cënuar sipas tyre, edhe nga publikimi i lajmeve të rreme. Gjatë dy viteve të fundit, krizat që shkaktuan tërmeti i vitit 2019, pandemia e koronavirusit, dhe tani lufta që pasoi agresionin rus në Ukraninë, janë shoqëruar me lajme të rreme të cilat kanë dëmtuar qytetarët, bizneset por dhe qeveritë në menaxhimin e tyre. Pak kohë më parë, lajmet mbi rrezikun e ndërprerjes së furnizimeve nga Rusia dhe Ukraina, u shpërndanë me shpejtësi kudo në botë. Ato morën rëndësi në kushtet kur këto vende janë të rëndësishme në kultivimin e grurit, vajit të lulediellit, misrit dhe prodhimin e karbuanteve. Lajme të tilla prekën dhe Shqipërinë. Drejtuesi i Unionit Tregëtar Agroushqimor i tha Zërit të Amerikës, se ato nuk ishin të vërteta, dhe se paniku tek qytetarët që nxituan të furnizohen në tregje, u nxit nga media përmes komenteve dhe analizave që nuk mbështeteshin në fakte. Sipas tij bizneset u dëmtuan shumë.
“Industria jonë u vu në vështirësi, sepse duhet të prodhonim mbi kapacitetet tona. Raftet boshatiseshin në markete. Ndoshta ky fakenews ka qenë ngaqë janë trembur vetë gazetarët. Dëmi është shumë i madh, sepse këto janë elementë të sigurisë kombëtare. Ne e kemi ndjerë shumë vështirësinë, të paktën ato 15 ditët e para pas fillimit të luftës në Ukrainë. Më vonë u qetësuan. Ajo që thoshim ne ishte një gjë reale. Ne kishim kontratat në dorë që mund t’i bënim në Francë, Rumani, Hungari dhe Serbi. E vetmja gjë që u shpjeguam njerëzve ishte që do ketë rritje çmimi dhe kjo ndodhi”, tha për Zërin e Amerikës Theodhor Kristuli, Kryetar i Unionit Tregëtar Agroushqimor.
Zhvillimet e shpejta në teknologjinë e informacionit, vërejnë vëzhguesit e fushës mediatike, bashkë më të mirat në drejtim të informimit, në mjaft raste kanë sjellë dhe dëme me pasoja të rënda. Drejtuesja e Faktoje.al Klodiana Kapo, thotë se edhe gjatë pandemisë së koronavirusit, u shpërndanë në media dhe portale on line lajme të rreme mbi protokollin e mjekimit, efektin e vaksinave, si dhe mbi teori të ndryshme konspiracioni. Ato, sipas saj, çuan në mjekime të gabuara apo dhe hezitime të qytetarëve në proçesin e vaksinimit. Në disa raste edhe vetë zyrtarët ishin objekt i shpërndarjes së lajmeve të pavërteta.
“Një lajm i rremë u shpërnda nga kryeministri, gjatë izolimit prej pandemisë së Kovid 19. Ai hodhi në faqen e tij në facebook, një video, ky shfaqej policia duke ushtruar dhunë ndaj disa qytetarëve në rrugë, që mendohej se kishin shkelur rregullat. Ambasada e Spanjës e përgënjeshtroi këtë lajm, ndërsa pas verifikimit të Faktoje.al rezuloti se ajo video ishte xhiruar kohë më parë në Algjeri. Kryeministri reagoi pas kësaj, duke thënë se dhe ai mund të binte preh e lajmeve të rreme”, u shpreh për Zërin e Amerikës Klodiana Kapo, drejtuese e “Faktoje.al”