AKTUALITET, 25 Korrik 2025, 14:44

Zbulohet parcelë me kanabis në Çipllakë të Fierit, pranga kultivuesit

Zbulohet parcelë me kanabis në Çipllakë të Fierit,

Policia e Fierit ka zbuluar një parcelë me kanabis në fshatin Çipllakë. Ndërkohë në pranga ka rënë një 41-vjeçar, që dyshohet se i ka kultivuar.

NJOFTIMI I POLICISË

Vijon operacioni policor antikanabis i koduar “Koordinata”, i ndërmarrë nga strukturat e Komisariatit të Policisë Fier me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut.

Gjatë kontrolleve intensive dhe hetimeve të kryera me metoda proaktive, në territorin e fshatit Çipllakë, njësia administrative Libofshë, u zbulua një parcelë e mbjellë me 190 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa. Bimët ishin kultivuar në një sipërfaqe me shkurre, me synimin për t’u fshehur nga kontrolli ajror apo tokësor.

Si rezultat i hetimeve të menjëhershme, u arrestua në flagrancë autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi L. T., 41 vjeç, banues në zonë. Ai akuzohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Një pjesë e bimëve narkotike u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies nga strukturat policore.