AKTUALITET, 25 Korrik 2025, 13:27

Bashkia ia dorëzoi qeverisë Pallatin e Kongreseve, Ristani: Ka paraqitur shenja amortizimi e degradimi

Bashkia ia dorëzoi qeverisë Pallatin e Kongreseve, Ristani: Ka

Pallati i Kongreseve ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, pasi shumica e anëtarëve votuan pro ndryshimit të pronësisë.

Vendimi në fjalë me aludimet mbi planin për rikonstruksionin apo shembjen e ndërtesës historike për t’ia lënë vendin një kulle, pasuan debatin për këtë vendim. Deri më tani ajo çka dihet dhe pa informacione shtesë, është një kornizë e hedhur në faqen e Korporatës së Investimeve me titullin “Rikonstruksion”, i nxitur nga një propozim i datës 1 prill 2025. Kujtojmë se Pallati i Kongreseve është një nga godinat simbol të historisë dhe kulturës së Tiranës, i ndërtuar mes viteve 1982-1986, me qëllim organizimin e aktiviteteve dhe panaireve të ndryshme.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje një sërë vendimesh, mes të cilave edhe ai për kalimin në përgjegjësi të qeverisë të Pallatit të Kongreseve, pasi godina do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni. Ky projektvendim parashikon kalimin e Pallatit të Kongreseve dhe pronave përreth tij në pronësinë e Ministrisë së Financave, që në bashkëpunim me Korporatën e Investimeve do të ndjekin të njëjtën formulë që është ndjekur edhe më herët për pronat publike, për PPP-të, ku privati paraqet projektin e zhvillimit të zonës, dhe shteti duke marrë pjesën e tij për të zhvilluar të njëjtat aktivitete, ndërkohë privati mund të ndërtojë më tepër.

Në projektvendimin e bashkisë, Ministrisë së Financave do t’i jepet një pjesë e mirë e truallit që ndodhet përreth Pallatit të Kongreseve. Sipas opozitës, gjasat janë, duke qenë se do t’i jepet Korporatës së Investimeve, do të ndodhë e njëjta gjë si me godinën e ATSH, apo Kadastrën, do të ngrihen kulla. Këshilltari i opozitës, Ilir Alimehmeti, pyeti nëse brenda territorit të godinës do të ndërtohej ndonjë kullë e re, por kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani, tha se nuk kishte asnjë informacion lidhur me këtë dhe vendimi i bashkisë lidhet vetëm me lulishten.

“Me kalimin e viteve dhe pavarësisht mirëmbajtjes e kujdesit të vazhdueshëm, Pallati i Kongreseve ka paraqitur shenja amortizimi e degradimi. Synon të shndërrojë Pallatin e Kongreseve në një qendër multifunksionale për konferenca, evente kulturore. Ne nuk jemi pronarë të ndonjë prone të gjurmës së Pallatit të Kongreseve, por jemi të një pjese që është në territorin e Pallatit të Kongreseve, në pjesën e prapme të lulishtes për të qenë të saktë, mbi kalimin në përgjegjësi administrimi të pasurisë në pronësi të saj te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me destinacion Korporatën e Investimeve Shqiptare në kuadër të projektit të rijetëzimit të Pallatit të Kongreseve”.

Reagimi i këshilltarit të PD, Dorian Teliti ishte krejt skeptik. “Kështu thatë edhe për fushën rreth stadiumit ‘Selman Stërmasi’, prandaj kemi të drejtë të dyshojmë”.

Pallati i Kongreseve është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Tiranës, në qarkun e Tiranës, Shqipëri. Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “122 më 05.03.2007”.

Pallati i Kongreseve u ndërtua për organizimin e kongreseve të Partisë së Punës, por edhe të festivaleve. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe përfunduan katër vite më pas në vitin 1986. Për ndërtimin e tij punuan ndërmarrjet më të mira në vend. Por modernizmi i godinës nga jashtë vazhdonte edhe brenda saj. Ambientet brenda saj u bënë një mënyrë që pallati të ishte edhe shumëfunksional dhe çdo gjë e vendosur atje të përshtatej me aktivitetet që do të zhvilloheshin, një funksion që Pallati i Kongreseve vazhdon ta ruajë edhe sot pas 20 vjetësh. Pallati ka një shtrirje rreth 70 metra paralel me shëtitoren dhe lartësi 18 deri në 23 metra.