AKTUALITET, 25 Korrik 2025, 14:15

Tentoi të nxirrte nga Shqipëria drejt Greqisë gati 50 mijë euro cash, kapet në Kakavijë 54-vjeçari nga Lazarati

Tentoi të nxirrte nga Shqipëria drejt Greqisë gati 50 mijë

Një 54-vjeçar nga Lazarati është marrë nën hetim në gjendje të lirë, pasi tentoi të nxirrte nga Shqipëria drejt Greqisë gati 50 mijë euro cash, të padeklaruara. 

Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale Sh.B., të cilit në çantë iu gjetën 48 400 euro që nuk i kishte deklaruar konform ligjit.

Për këtë arsye, paratë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa vetë 54-vjeçari po hetohet në gjendje të lirë.

Njoftimi i policisë

Tentoi të nxirrte nga Shqipëria, 48 400 euro, pa i deklaruar, procedohet penalisht 54-vjeçari. Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit Sh. B., ku u gjetën 48 400 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin Sh. B., 54 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.