AKTUALITET, 23 Shtator 2025, 21:53

Zbardhet numri i këshilltarëve që votuan për shkarkimin e Veliajt, opozita përcaktoi fatin e kryebashkiakut

Zbardhet numri i këshilltarëve që votuan për shkarkimin e

Është bërë publik numri i saktë i këshilltarëve bashkiakë të Tiranës që votuan për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. Nga 61 anëtarë gjithsej, vetëm 50 dhanë votën pro, pavarësisht konsensusit të arritur mes mazhorancës dhe opozitës.

Megjithëse urdhri për shkarkim ishte dhënë drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama, një pjesë e këshilltarëve socialistë nuk iu bindën linjës së partisë. Shkaqet lidhen, sipas burimeve, me respektin personal dhe miqësitë e vjetra me Veliajn.

Në votim nuk morën pjesë këshilltarët: Joleza Koka, Eriona Bixho, Gazmend Paja, Eris Bejleri, Ervin Dushku, Alba Kepi, Aldo Merkoçi, Alfred Muharremi dhe Fabjan Topollaj. Po ashtu, vendet e lëna bosh nga Romina Kuko dhe Tedi Blushi, të cilët tashmë janë deputetë, ende nuk janë zëvendësuar.

Ky rezultat nxori në pah se votat e opozitës ishin vendimtare për të siguruar shumicën prej 31 votash të nevojshme për shkarkimin. Sipas llogarive, mjaftonin vetëm pesë vota më pak nga radhët e socialistëve që Veliaj të vijonte të qëndronte në detyrë.

Zbardhet numri i këshilltarëve që votuan për shkarkimin e

Një nga momentet kyçe ishte propozimi i këshilltarit socialist Endrit Braimllari, i cili kërkoi bashkimin e tre mocioneve për shkarkimin e Veliajt (të PS-së, PD-së dhe Endri Shabanit) në një të vetëm, gjë që u miratua.

Vendimi i Këshillit Bashkiak u bazua në nenin 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, që parashikon shkarkimin e kryebashkiakut në rast të mungesës së tij për një periudhë të pandërprerë prej tre muajsh. Pas kësaj faze, çështja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës.

Veliaj ka të drejtë të ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, gjë që do të pezullonte çdo vendimmarrje të qeverisë deri në një vendim përfundimtar. Nëse kjo nuk ndodh, i hapet rrugë shpalljes së zgjedhjeve të reja nga Presidenti i Republikës.

Lista e këshilltarëve që nuk votuan:

Joleza Koka
Eriona Bixho
Gazmend Paja
Eris Bejleri
Ervin Dushku
Alba Kepi
Aldo Merkoçi
Alfred Muharremi
Fabjan Topollaj
Romina Kuko
Tedi Blushi