AKTUALITET, 11 Maj 2025, 20:00

Votimi elektronik, ndryshe nga viti 2021, rezultati del në mëngjes/ Celibashi: Kështu kërkoi PD!

Votimi elektronik, ndryshe nga viti 2021, rezultati del në mëngjes/

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se rezultati për votimin elektronik në Vorë dhe në njësinë 10 të Tiranës, do të dalë në mëngjes, pasi kështu ka kërkuar Partia Demokratike. 

Kujtojmë se në zgjedhjet e viteve 2021 dhe 2023, rezultati në zonat ku votohej elektronikisht doli menjëherë. 

"Në kushtet e një skepticizmi të një pjese të politikës, në lidhje me këtë proces, kemi vlerësuar që të përmbushim kërkesën për shpalljen e rezultatit të votimit në njësinë 10 dhe Bashkinë e Vorës, pasi të ketë filluar procesi i tabulimit të rezultatit për qendrat e votimit, apo KZAZ, ku është votuar në mënyrë manuale, pra do ta kemi në mëngjes rreth orës 08:00-09:00.

Është kërkesë e Partisë Demokratike dhe qëllimi i këtij projekti pilot, lidhet më së shumti me rikonfirmimin e integritetit të përdorimit të kësaj pajisje gjatë procesit të votimit. Nuk ka dyshime që pajisja elektronike e votimit dhe numërimit, e transmeton rezultatin menjëherë dhe nuk ka nevojë për ta testuar këtë komponent", tha Celibashi.