TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nga ambientet pranë qendrës së votimit në shkollën “Petro Nini Luarasi”, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar një rast të dyshuar të shitblerjes së votës. Sipas tij, në një zyrë elektorale të padeklaruar të Partisë Socialiste, po zhvillohej aktivitet i paligjshëm elektoral. Ai deklaroi se aty po bliheshin vota në këmbim të parave dhe mes personave të pranishëm ndodhej edhe një drejtoreshë e shtetit.
Këlliçi sqaroi:
“Janë konstatuar nga aktivistët e PD-së. Është një zyrë elektorale e padeklaruar, e paloguar dhe që funksionon si zyrë e PS-së. Kemi marrë një denoncim se në këtë ambient po kryhej një krim zgjedhor, duke blerë vota në këmbim të parave, duke intimiduar dhe shantazhuar votuesit në proces. Kemi ardhur për të bërë konstatimin në terren. Dera ka qenë e hapur. Brenda ndodheshin rreth 7 persona, punonin me laptopë, kishte një hartë në mur dhe lista.”
Ai shtoi se sapo aktivistët u kërkuan të tregonin çfarë po bënin, ata mbyllën derën dhe tentuan të zhdukin provat:
“Në atë moment kanë hequr hartat nga muri, kanë marrë gjërat që kishin dhe janë larguar me vrap. Janë filmuar nga mediat. Nëse dikush nuk ka shkelur ligjin, nuk ka pse të marrë çantën në shpinë, të vërë kapuçin dhe të ikë me vrap.”
Deputeti socialist Erion Braçe, nga ana tjetër, ka reaguar duke thënë se ambienti në fjalë është zyra e tij e punës dhe mohoi të kishte lidhje me personat që u panë të iknin me nxitim.
Braçe deklaroi:
“Kjo është zyra ime e punës dhe nuk njoh asnjë nga ata që ikën me vrap. Ata persona nuk janë stafi im elektoral. Ishte një drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Inovacionit apo nuk e di kush ishte, dhe disa të rinj të tjerë me çanta në krah dhe kapuçë. Kanë ikur me vrap.”
Këlliçi gjithashtu theksoi:
“Erdha këtu dhe gjeta një situatë të rënduar, mes aktivistëve të PS-së dhe një personi me precedent kriminal që mbronte Braçen. Kemi telefonuar gjashtë herë policinë e shtetit dhe nuk merrnim përgjigje.”