AKTUALITET, 1 Maj 2025, 11:57

VIDEO/ Dimal, Rama: Çdo alternativë tjetër përveç PS, të çon drejt humnerës! Ata që na përqeshin me ato që kemi bërë kanë probleme me aritmetikën

VIDEO/ Dimal, Rama: Çdo alternativë tjetër përveç

Kryesocialisti Edi Rama, në një takim që po mban në Dimal, po tregon disa shifra që tregojnë përmirësimin e pagave, uljen e papunësisë si edhe rritjen e prodhimit të përgjithshëm bruto.

Teksa po fliste për borxhin publik, Rama tha se në vitin 2013, shqiptarët shpëtuan vendin nga humnera, duke shtuar se “çdo alternativë tjetër, përveç PS më 11 Maj, është alternativa e rrezikut për t’u kthyer sërish pas drejt të njëjtës humnerë. 

“PBB është e gjithë vlera që një vend krijon dhe kjo vlerë kur ne morëm detyrën ishte më pak se 10 mld euro ndërsa sot ka kaluar 25 mld eurot. Ajo që do të bëjmë është që në Shqipërinë 2030 këtë PBB ta çojmë në 35 mld euro.

Kjo është një tjetër e dhënë për të parë rritjen e këtij prodhimi në kontekstin e rajonit. Shqipëria është në vendin e parë në rajon me rritjen e prodhimit të përgjithshëm në dekadën e fundit.  

Borxhin publik e kemi ulur në një normale prej 54% dhe projeksioni në Shqipërinë 2030, do ta çojmë në 50 %, me një minus të lehtë nën 50 %. 25 % e njerëzve, subjekteve që kishin kredi nëpër banka nuk i shlyenin dot më, momenti ku ndizet drita e kuqe dhe sistemi banka rrezikon të bjerë.

Shqiptarët duke u  bërë bashkë në 2013 shpëtuan vendin nga një humnerë të dytë pas asaj të 97. Çdo alternativë tjetër përveç PS është e rrezikut për t’u kthyer sërish pas drejt të njëjtës humnerë. "

Duke u ndalur te papunësia, Rama tha se për herë të parë shifra është ulur në njëshifrore. Ironizoi edhe opozitën për akuzën se janë larguar mbi 1 milionë shqiptarë jashtë vendit. 

“Për herë të parë e kemi ulur papunësinë nën 10 përqind, e kemi bërë njëshifrore. Ka shumë që thonë se shifra e ulët vjen se kanë ikur njerëzit. Lëre pastaj ata që thonë se kanë ikur 1 mln njerëz, një nga shpifjet më të mëdha të kënetës ndërkohë censusi e tregoi saktë se sa është popullsia e Shqipërisë. Por përqindja e papunësisë nuk matet mbi popullsinë e përgjithshme por mbi forcat e punës. Për herë të parë kemi një papunësi njëshifrore 8.8%.”, shtoi Rama.