AKTUALITET, 6 Mars 2022, 21:26

Veliaj pas fitores "dërrmuese" të PS në Vorë: Ishte surprizë, llogaria jonë doli shumë mirë!

Veliaj pas fitores "dërrmuese" të PS në Vorë:
Erion Veliaj në konferencë

Kryebashkiaku Erion Veliaj, njëkohësisht drejtues politik i Partisë Socialiste në Tiranë, ka dalë në një deklaratë për mediat, pas rezultatit të zgjedhjeve në Vorë, ku PS fitoi me rezultat mjaft të thellë. 

Kandidati i PS, Blerim Shera mori 7530 vota, ndërsa kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Lulzim Vrana mori 2589 vota. Në vendin e fundit u rendit kandidati i Lulzim Bashës, Ymer Marku, me vetëm 687 vota, një rezultat turpërues për Partinë Demokratike. 

Erion Veliaj tha se rezultati në këto shifra ishte surprizë, por shtoi se është rezultat i fushatës dhe punës së PS. 

"Ishte një surprizë. Sondazhet tona tregonin mbi 50%. Fushata e fundit ka patur efektin e vet, sepse ishte fushatë bashkimi dhe jo përçarje. Komuniteti i Vorës është komunitet heterogjen.

Jemi përqëndruar për të punuar për mendjet dhe zemrat e atyre që kanë votuar të djathtën. Po të shohësh rezultatin, nuk na ka ceduar rezultati ynë për PS, por përkundrazi në disa bastione të djathta jemi përmirësuar. Fryma e bashkimit funksionon më mirë sesa fryma e përçarjes. Llogaria jonë doli shumë mirë. Duhet të bëjmë shumë punë që ta justifikojmë këtë besim", tha Veliaj.