AKTUALITET, 19 Shtator 2022, 17:25

“Varfëria i ka marrë përpara shqiptarët”- Berisha: Nga viti 2013 deri në 2022 qeveria ka marrë borxh 500 mld lekë, e paguajnë shqiptarët

“Varfëria i ka marrë përpara shqiptarët”-

Ish-kreministri Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me intelektualë dhe banorë të Pukës ngriti shqetësimin e varfërisë. Në fjalën e tij, kreu i PD-së tha se “varfëria i ka vënë përpara shqiptarët”.

Sipas tij, kjo qeveri nga viti 2013 deri në 2022 janë marrë 500 miliardë lekë borxh, i cili paguhet nga shqiptarët.

“Jam sot këtu për të diskutuar së bashku mbi problematikat e mëdha me të cilat përballet Puka dhe Shqipëria.

Cdo shqiptar ndjen një dhimbje, një therje në shpirt kur sheh sesi po braktiset ky vend ndërkohë që në rast se analizojmë pasuritë e jashtëzakonshme që ka këtu mund të begatohen me shpejtësi shumë herë sesa banorët e këtij vendi.

Shqiptarët sot i ka vënë para varfëria. Varfëri krejtësisht e pamerituar. Varfëri që në ndonjë aspekt dhe rast të veçantë kap edhe tregimet e Migjenit.

Varfëri e cila shkaktohet mbi të gjitha nga vjedhja e madhe që u bëhet shqiptarëve nga qeveria.

Unë ju them ju vetëm dy fakte. Nga viti 2013 deri në vitin 2022 janë marrë borxh 500 miliardë lekë, borxh të cilin e paguan cdo shqiptar, se qeveria nuk prodhon asnjë qindarkë.

Janë krijuar të ardhura 400 miliardë, pra 900 miliardë lekë. Çfarë ka ndodhur me to? Me 900 miliardë lekë sot çdo shqiptar duhet të merrte të paktën 3 herë më shumë sesa në vitin 2013 dhe tepronte shumë për investime. Po ku jemi sot dhe pse varfëria i ka vënë përpara shqiptarët. I ka vënë përpara shqiptarët sepse sot rroga mesatare e qytetarëve shqiptarë dhe pensioni mesatar janë 20-30% më të ulëta sesa në vitin 2013”, theksoi Berisha.