TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pavarësisht disa masave të marra si afatshkurtra edhe afatgjata në lidhje me varfërinë energjetike Shqipëria ende sot nuk ka një përkufizim të miratuar për këtë aspekt. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë në raportin “Adresimi i varfërisë energjetike tek vendet e Komunitetit të Energjisë” ku hyn edhe Shqipëria jep disa rekomandime që duhet të merren parasysh për të sjellë ndryshime pozitive.
Por çfarë është në fakt varfëria energjetike? Sipas përkufizimit kjo është gjendje e një familjeje që di duhet të reduktojë konsumin e saj të energjisë në një shkallë të tillë që ndikon negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e anëtarëve të saj.
Në Shqipëri janë disa masa të marra që synojnë zbutjen e kësaj varfërie duke nisur që nga kompensimi që jepet për energjinë për disa shtresa në nevojë ku dominojnë pensionistët e deri tek ato masa afatshkurta siç ishte ajo për subvencionimin e impianteve për ngrohjen e ujit për familjet aplikuar vetëm një herë deri më tani.
Pavarësisht këtyre masave duket se Shqipëria ashtu edhe si shumë vende të tjera në rajon nuk e ka një plan të qartë për evidentimin e situatës reale të varfërisë energjetike dhe miratimin e objektivave konkretë për uljen e saj. Kjo ka bërë që në raportin e fundit Sekretariati të bëjë disa rekomandime.
Kështu së pari është propozuar që të bëhet zhvillimi i një metodologjie për të vlerësuar numrin e familjeve në varfëri energjetike siç kërkohet nga Rregullorja e qeverisjes.
Së dyti vendosja e një objektivi tregues kombëtar për reduktimin e varfërisë energjetike, duke përfshirë një afat kohor. Së treti rekomandohet miratimi i një përkufizim për varfërinë energjetike.
“Përfshini një afat kohor të detajuar, buxhetin e vlerësuar dhe burimet e financimit për politikat dhe masat. Ofroni mbështetje të veçantë për familjet në varfëri energjetike në politikat dhe masat përkatëse për eficencën e energjisë dhe burimet e energjisë së rinovueshme për të adresuar shkaqet rrënjësore të varfërisë së energjisë.
Përafroni objektivat dhe masat e Planeve Kombëtare të Energjisë dhe Klimës për varfërinë energjetike me Planin e Veprimit për Efiçiencën e Energjisë (EEAP) dhe Planin e Veprimit për Energjinë e Qëndrueshme (SEAP) dhe anasjellta”, thuhet në rekomandimet e tjera të Sekretariatit./Monitor