AKTUALITET, 15 Qershor 2023, 22:43

Vangjeli: Kryesia e PD-së, si anëtarët e një komisioni tenderi, ku fituesi është i paracaktuar

Vangjeli: Kryesia e PD-së, si anëtarët e një komisioni
Fotomontazh: Vangjeli dhe Bejko

Analisti Lorenc Vangjeli debatoi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” me anëtarin e kryesisë së PD-së, Roland Bejko për vendimin e kryesisë për të hapur procedurat dhe modalitet mbi zgjedhjen e kryetarit, duke thënë se kështu po paracaktohet zgjedhja e Lulzim Bashës. Vangjeli e cilësoi kryesinë si anëtarët e një komisioni tenderi, ku po përcaktohen modalitetet ku fituesi është i paracaktuar.

Debati:

Vangjeli: Kur folët për anëtarët e kryesisë më bëri përshtypje se folët për identikitin e tyre se nuk janë si këta të havjarit. Nuk po diskutojmë as për begraundin. Po ju pyes juve ndershmërisht. Nuk ju duket vetja si anëtarët e një komisioni tenderi, që po përcaktoni modalitetet ku fituesi është i paracaktuar? Po mendoni një moment se një SPAK virtual ju shikon dhe ky jemi edhe ne, modestisht, opinioni dhe logjika e thjeshtë. Nuk e kuptoni se po bëni dokumentet e një gare të paracaktuar?

Bejko: Po si ta marrim pa garë? Është statuti që e cakton. Ça të bëjmë ne? Të themi se nuk ekziston, ta hedhim poshtë?

Vangjeli: Jo nuk po them këtë.

Bejko: Po çfarë, t’i themi Bashës lëre, jep dorëheqjen nga dorëheqja dhe kthehu kryetar?

Vangjeli: Ky akti juaj formal po prodhon të gjitha arsyet për një humbje të nesërme. Politika është arti i parashikimit.

Bejko: Po tjetër, çfarë duhet të bëjmë ne? Ne jemi në këto kushte sot ku PD-ja nuk ka një kryetar, kemi një vit që ankohemi se nuk e merr kush ta bëjë politikën e PD-së, ta përfaqësojë zyrtarisht, të ketë një platformë mbi të cilën të ecë partia.

Vangjeli: Pse nuk mblidheni 2-3 persona dhe të vendosni një kusht që ai që ka vjedhur tenderin më parë, që ka prishur rregullat e lojës dhe që ka humbur, të mos kandidojë më?

Bejko: Nuk e bën dot.

Vangjeli: Ky është akti politik.

Bejko: Jo nuk e bën dot.

Vangjeli: Po kërcënoni atëherë, se, nëse ikni ju, bie kuorumi.

Bejko: Po pse duhet ta paragjykoj unë atë?

Vangjeli: E kuptoni se jeni sërish si në bedenat e asaj kalasë në Bosfor. Flisni sërish për seksin e engjëjve dhe po u garantoni demokratëve recetën e përkryer për të humbur.

Bejko: Unë thashë recetën e përkryer për të fituar.