AKTUALITET, 24 Shtator 2025, 17:06

Universitetet, mbi 10 mijë kuota bosh pas raundit të parë! Rriten kërkesat për programet 2-vjeçare

Universitetet, mbi 10 mijë kuota bosh pas raundit të parë! Rriten

Nxënësit me mesatare nën 8.5, përfshirë edhe ata me rezultate më të ulëta apo që kanë ngelur në vjeshtë, po zgjedhin studimet 2-vjeçare. Kreu i rrjetit akademik shqiptar, Arjan Xhelaj, thotë se në raundin e parë u regjistruan në universitete 16 mijë studentë, duke lënë mbi 10 mijë kuota bosh.

Jashtë universitetit nuk mbetet asnjë student, pasi këtë vit kuotat për në shkollë të lartë ishin afër 27 mijë, aq sa nxënës përfunduan maturën. Xhelaj thotë se numri i lartë i kuotave lidhet edhe me kapacitetet pritëse të universiteteve për studentë të huaj.

“Gjithmonë ka kuota të lira të cilat ngelen. Ka kapacitete në universitetet shqiptare dhe ndërkombëtarizimi është interes për studentët e huaj.”, tha ai.

Ekselentët ezauruan degët më të kërkuara të universiteteve, si mjekësia dhe inxhinieria, që në ditët para regjistrimeve. Ndërsa ata me mesatare nën 8.5 shpëtuan edhe degët e rrezikuara tek gjuhët e huaja, shkencat ekzakte dhe ato të universitetit bujqësor.