AKTUALITET, 24 Shtator 2025, 16:43

Gjyqi për Gërdecin, Fatmir Mediu kundërshton në GJKKO ekspertizën: U ngrit qëllimisht, ministri nuk merret me çështje ushtarake

Gjyqi për Gërdecin, Fatmir Mediu kundërshton në GJKKO

U zhvillua sot në Gjykatën e Posaçme procesi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i akuzuar për ngjarjen e shpërthimit në Gërdec, për të cilën SPAK ka ngritur veprën penale shpërdorim detyre në dy raste.

Mediu ishte vetë i pranishëm në seancë, teksa paraqiti dhe kundërshtimet në lidhje me akt-ekspertiza tekniko-ushtarake.

“Ekspertët e thirrur nga prokuroria ishin në nivel të ulët ushtarak. Gjatë procesit disa ushtarakë të lartë i kanë kundërshtuar këta ekspertë. Në këtë sallë prokurori deklaroi se nuk kishte njohuri për kalibrat se ishte jurist. Procedimi penal është ngritur në mënyrë të qëllimshme nga Prokuroria e kohës për ministrin e Mbrojtjes. Ministri nuk merret me çështje ushtarake. Përgjegjësia për këto çështje i takon Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak. Ministri i Mbrojtjes është civil”, ka thënë Mediu ndër të tjera gjatë seancës.

Mediu i ka kundërshtuar herë pas here akuzat e ngritura, duke i cilësuara si të motivuara politikisht.

Gjyqi ndaj tij vijon që prej prillit 2023. Ngjarja ndodhi më 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve” në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, pati shumë të plagosur dhe dëme materiale.