AKTUALITET, 2 Gusht 2022, 18:48

Tragjedia në Himarë/ Spiropali: Nxis një hetim të shpejtë për shkaktarin e një krimi kaq makabër

Tragjedia në Himarë/ Spiropali: Nxis një hetim të

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme në Himarë, ku një 7-vjeçare ka humbur jetën pasi u përplas nga një gomone që drejtohej nga një oficer i lartë policie.

Postimi i Spiropalit

Ngjarja tragjike e Potamit na ka tronditur dhe lënduar të gjithëve.

Një vajzë shtatë vjeçare humbi jetën e përplasur barbarisht nga një gomone.

Nesër ajo mund të ishte muzikante, shkrimtare, politikane, mjeke, apo edhe thjesht bijë e një nëne dhe prind fëmijësh.

E vrau papërgjegjshmëria. E vrau dalldia. Ia preu në mes jetën krimi i dikujt që moskontrolli i vetes e shndërroi nga polic, në vrasës.

Nxis një hetim të shpejtë dhe të drejtë.

Hetim që jo thjesht të dënojë shkaktarin e një krimi kaq makabër, por edhe të dëshmojë se vepra të tilla kriminale do të dënohen me rreptësinë më maksimale të ligjit.

Të gjitha institucionet e sigurisë duhet të ngrihen në këmbë që kjo ngjarje e rëndë të mos përsëritet kurrë dhe askund në bregdetin tonë.

Lutem per shpirtin e Saj të pafajshëm.

Ngushëllime familjes, edhe pse si nënë e dy fëmijëve të mitur e di se sot prindërit e vajzës janë të pangushëllueshëm.

Dhimbja e tyre qoftë një klithmë për të gjithë ne që tragjedi të tilla të mos ndodhin kurrë më.