AKTUALITET, 22 Mars 2026, 09:18

Sot festa e Sulltan Nevruzit, Begaj dhe Rama urojnë besimtarët bektashianë

Sot festa e Sulltan Nevruzit, Begaj dhe Rama urojnë besimtarët

Me rastin e festës së Sulltan Novruzi, Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama kanë përcjellë urime për qytetarët shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite si simbol i paqes, shpresës dhe harmonisë.

Presidenti Bajram Begaj në mesazhin e tij ka vënë në dukje se kjo ditë përfaqëson pranverën dhe ringjalljen, si dhe vlerat e shpresës, dashurisë dhe unitetit. Ai thekson se Sulltan Novruzi duhet të shërbejë si një thirrje për më shumë mirëkuptim, tolerancë dhe bashkëjetesë në shoqëri.

“Gëzuar Sulltan Novruzin! Kjo ditë e shenjtë, simbol i pranverës dhe ringjalljes, na kujton forcën e shpresës, dashurisë dhe unitetit. Le të na shërbejë si thirrje për më shumë harmoni e mirëkuptim mes nesh, duke forcuar bashkëjetesën dhe tolerancën që na karakterizon si shoqëri,” shkruan Begaj.

Kryeministri Edi Rama uroi besimtarët bektashianë me disa pamje nga "teqeja e Helvetive, në Berat ndër më të bukurat në Ballkan, ku qetësia dhe harmonia janë besim".

Sipas bektashinjve festa e Sulltan Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

Kjo ditë cilësohet në mbarë botën aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë sipas analistit fetar Ferdinand Samarxhi.

“Sulltan Nevruz” do të thotë ditë e re, bektashinjtë që gjenden në 33 vende të botës e quajnë ditë e pranverës, ku natyra konturohet nga lule me ngjyra të ndryshme dhe ngjallen gjallesat. Në këtë ditë për bektashinjtë ka lindur dhe shenjtori i botës Imam Aliu, i cili do të luftonte dhe për emancipimin e shoqërisë njerëzore.

Në Shqipëri Dita e Sulltan Nevruzit, festa më e rëndësishme e bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.

Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri, Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman, si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit.

Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.

Në këtë ditë feste amvisat përgatisin një laknur (byrek) të veçantë, ku në harxhë futen 12 gjethe lakrash të llojeve të ndryshme dhe një monedhë metalike për fat.