AKTUALITET, 7 Janar 2026, 18:10

“S'ju përmbyti Zoti, por qeveria”/ Blushi shfaqet mes ujit në zonat e Durrësit: Ky është korrupsion!

“S'ju përmbyti Zoti, por qeveria”/ Blushi shfaqet mes ujit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka vizituar sot zonat e përmbytura në qytetin e Durrësit.

Teksa ka marrë takim me banorët e prekur nga moti i keq dhe vërshimi i ujërave deri në banesa, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe ekonomike në disa lagje, deputeti opozitar ka akuzuar qeverinë për shpërdorim të fondeve të buxhetit dhe vjedhjen e tyre.

Teksa ka hyrë së bashku me banorët brenda në ujë për të parë nga afër gjendjen, banorët i kanë treguar edhe për dëmet e shkaktuara.

“Nuk ju ka përmbytur Zoti, por qeveria, ajo ju ka përmbytur”, u shpreh deputeti i PL-së mes të tjerash teksa shikonte pasojat e përmbytjeve.

Banorët thanë se nuk ishte bërë asnjë investim apo të merreshin masa, ndërsa përmbyteshin sa herë që binin shira.

“Kanë shpërdoruar miliona euro dhe nuk investojnë për zonat tuaja këtu të riparojnë kanalizimet e rrugët, por i hedhin paratë në vende të tjera”, u shpreh deputeti.

Ai bëri thirrje që qeveria dhe kryeministri të ndërpresin pushimet e dimrit, teksa akuzoi për vjedhjen e fondit 46 milionë euro.

Blushi u shpreh se kryebashkiakia Emirjana Sako duhet nxjerrë nga zyra me forcë, pasi është përgjegjëse për situatën.

“Pasuritë tuaja janë përmbytur nga uji. Kjo tragjedi ka ndodhur për shkak të një qeverie të korruptuar. I bëj thirrje Edi Ramës, ndërprit pushimet. Shteti duhet të çohet në këmbë. Kriminale ajo që ka ndodhur në Durrës, nuk është fatkeqësi natyrore, por korrupsion. Kanë vjedhur 46 mln euro dhe nuk punojnë as hidrovoret”, tha ai.