TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndërsa për vite me radhë mbeten në nivele modeste, sigurimet nga fatkeqësitë natyrore kanë shënuar këtë vit një rritje prej thuajse 20% duke shkuar në total në rreth 20 milionë euro. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare raporton se në portofolin “sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës”, gjatë periudhës janar-gusht 2023, është shënuar një rritje prej 18.82% e vëllimit të primeve të shkruara bruto dhe rritje me 3.11% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-gusht 2022. Nga 16 milionë euro vitin e shkuar, shuma totale e pagesave për sigurimin nga fatkeqësitë natyrore arrin në 19 milionë euro për 8 muajt e këtij viti.
Ndërkaq, këtë vit kanë shënuar rritje të kosiderueshme i gjithë grupi i sigurimeve vullnetare, që dominohet nga segmenti i pronës. Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-gusht 2023 arritën rreth 6,2 miliardë lekë, 15.19% më shumë se në 2022. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.56% krahasuar me janar-gusht 2022. Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë janar-gusht 2023, patën një rritje me 17.11% në bazë vjetore. Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë janar-gushtit 2023 siguruan mbi 2,9 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 65.62%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 25.52% të totalit.
Por megjithatë, tregu vijon të dominohet nga sigurimet e detyrueshme me ligj. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.84% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.16% të totalit të tregut.