AKTUALITET, 12 Tetor 2023, 17:40

Nikolla lexoi njoftimin e Bashës për përjashtimin nga grupi, Bardhi: Akt i pashembullt, ndërhyrje në punët e brendshme të PD!

Nikolla lexoi njoftimin e Bashës për përjashtimin nga grupi,

Deputeti Gazment Bardhi ka reaguar pas leximit nga kryetarja e Kuvendit të njoftimit të bërë nga Lulzim Basha, duke bërë me dije se ai nuk është më pjesë e Grupit Parlamentar të PD, pasi i ka përfunduar anëtarësia. Bardhi ka deklaruar se Nikolla ka ndërhyrë në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD, duke përbërë sipas tij, “aktin më të pashembullt në historinë e pluralizmit politik që mbyll çdo hapësirë institucionale për opozitën në Parlament”.

“Nervozizmi i Edi Ramës për unifikimin e qëndrimit të Shqipërisë me atë të Kosovës, nuk u shfaq vetëm me mungesën e tij skandaloze në votimin për Rezolutën për dënimin e Serbisë, por edhe nga sjellja e paprecedentë e Kryetares së Kuvendit në fund të seancës së sotme të posaçme.

Marrja peng nga Edi Rama e Reformës Zgjedhore dhe rrëzimi i Komisioneve Hetimore të kërkuara nga opozita, si dhe ndërhyrja në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit e Kryetares së Kuvendit në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD, përbën aktin më të pashembullt në historinë e pluralizmit politik që mbyll çdo hapësirë institucionale për opozitën në Parlament”, deklaron Bardhi.