AKTUALITET, 7 Korrik 2023, 13:09

Dhuna barbare për guroren në Krujë, policia arreston 4 persona, shpall në kërkim edhe vëllain e deputetit të PS-së

Dhuna barbare për guroren në Krujë, policia arreston 4 persona,
Sherri i dhunshëm në lokal

Policia e Shtetit njoftoi se ka shoqëruar në komisariat 8 autorët e dyshuar të një sherri me shkopinj bejsbolli dhe shkopa gome, në një lokal në Krujë, pas konflikteve për një gurores. Sipas policisë janë 4 të arrestuar dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, njëri prej të cilëve, Xhelal Rraja, vëllai i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.

Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Vëllezërit Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, krijojnë shqetësime në banesat e tyre. Mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores, kur grupi i dhunuesve mësyn lokalin dhe ata bëhen prehë e një dhune barbare. 

Njoftimi i policisë

Krujë Goditën në ambientet e një lokali 2 shtetas, shoqërohen në komisariat 8 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 4 dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë.

Gjatë operacionit për kapjen e këtyre shtetase u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja" të DVP Tiranë dhe Reparti Special RENEA. Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja, dhe të Repartit Special RENEA, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasit:

- I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit", "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës".

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç. Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.