AKTUALITET, 1 Tetor 2025, 20:58

Sherr mes disa personave në Bilisht, dy të plagosur

Sherr mes disa personave në Bilisht, dy të plagosur

Një sherr i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Bilishtit, ku kanë mbetur të plagosur dy persona. Sipas informacioneve paraprake, tre persona kanë goditur dhe dhunuar me sende të forta një 39-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime në trup.

Pas sulmit, i dëmtuari ka reaguar duke nxjerrë një thikë dhe ka goditur njërin prej agresorëve, duke e plagosur.

Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që dyshohet se ka nisur për motive të dobëta. Fillimisht, shtetasi i identifikuar si Trajan Çeliku, person i njohur nga policia si problematik është konfliktuar paraditen e sotme me 39-vjeçarin me inicialet G.M.. Më vonë, Çeliku është rikthyer sërish për ta takuar, kësaj here i shoqëruar nga dy persona të tjerë.

Debati verbal është përshkallëzuar shpejt në dhunë fizike, ku tre personat kanë sulmuar 39-vjeçarin duke përdorur sende të forta. Si pasojë, G.M. ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur Çelikun, duke e plagosur.

Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Pas marrjes së ndihmës së parë, të gjithë personat e përfshirë janë shoqëruar në komisariatin e Devollit, ku po merren në pyetje për të zbardhur plotësisht dinamiken e ngjarjes.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar motivet e sakta të konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilit të përfshirë.