TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-deputeti socialist Petro Koçi e cilësoi të gabuar qasjen e opozitës në lidhje me sesionin e ri parlamentar që ka nisur dhe atë që ndodhi në seancën për programin e qeverisë dhe kabinetin e ministrave, por edhe diskursin e saj politik në lidhje me integrimin e vendit, duke thënë se “ata vetëm e nxijnë Shqipërinë nëpër takime”.
Ish-ligjvënësi u shpreh se opozita në pika të caktuara mund të zgjedhë rrugë të tjera politike më pozitive, sikurse është rruga e integrimit të vendit në BE, që sipas tij tashmë dyert janë hapur dh është një shans i madh për vendin.
“Opozita e pengoi vetë prezantimin e programit qeverisës në Parlament. Nuk shoh asnjë reflektim tek ajo. Te procesi i integrimit në BE duket qartë progresi i vendit, nëpërmjet leximit të grupkapitujve dhe lexohet gjithashtu arritja e standardeve nëpërmjet plotësimit të këtyre grupkapitujve. Dyert e BE-së janë më të hapura se kurrë dhe ky është shans i madh për vendin, ndaj mendoj se këtu opozita po gabon. Qeveria ka meritat e saj të veçanta, kurse opozita thjesht po e përforcon këtë nëpërmjet veprimeve të saj. Ata vetëm nxijnë me fjalimet e tyre, qoftë këtu, ashtu edhe në takime me ndërkombëtarët. Këta e nisin dhe mbyllin me narkorafikun, qeveria Rama etj., për mua kjo është një qasje e gabuar nga opozita”, tha Koçi për “News 24”.
Kurse për raportin e zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR, ai nënvizoi se është i rëndësishëm për gjetjet apo rekomandimet që do të jepen dhe që duhet të zbatohen nga politika.
Koçi tha se më emergjente është reforma territoriale sesa ajo zgjedhore.
“Mendoj se raporti për zgjedhjet do pritet me shumë interes. Në momentin që do dalë raporti i ODIHR dhe OSBE do kemi një leksion për ndryshimet mëpasme dhe mendoj se duhet të kemi një reformë zgjedhore sa më të shpejtë. Reforma zgjedhore besoj se ka kohë pasi zgjedhjet e ardhshme janë pas dy vitesh, ato lokale, pavarësisht atyre lokale të pjesshme. Mendoj se më me urgjencë është reforma territoriale”, vijoi ai.
Ish-deputeti komentoi shkurtimisht edhe çështjen e raportit të DASH dhe denoncimet e opozitës për heqjen e drejtimit të Komisionit të Integrimit.
“Raporti i DASH duhet vlerësuar nga të gjitha palët njëlloj, duhet angazhim politik nga të gjithë që raporti i mëvonshëm të jetë më pozitiv. Ai raport i përfshin të gjitha palët. Nuk iu hoq Komisioni i Integrimit opozitës, vjen një parlament i ri dhe ka ndryshime”, tha ai.
Në lidhje me garën e zgjedhjeve të Bashkisë së Tiranës pas shkarkimit të Erion Veliajt, politikani pohoi se do ishte aktiv në fushatë e do bashkëpunonte për PS, duke e quajtur të përshtatshme kandidaturën e Ogerta Manastirliut.
“Padyshim do bashkëpunoj për Bashkinë e Tiranës në zgjedhje, na përfshinë të gjithëve. Ogerta Manastirliu është personalitet me përvojë dhe ka kontribut në PS. Zgjedhjet janë rutinë, por të rëndësishme”, u shpreh Koçi.
Ish-deputeti: Siguria kombëtare kërcënohet nga Rusia, Kina dhe Serbia
Ish-ligjvënësi komentoi edhe deklaratat e bëra sot te Komisioni i Çështjeve të Brendshme dhe Mbrojtjes nga ana e opozitës, ku u vu theksi te cenimi i sigurisë kombëtare dhe rreziqet për vendin.
Koçi tha se rreziku nuk vjen nga brenda vendit, edhe pse pranoi se ka probleme me krimin dhe korrupsionin, por shtoi se rrezik real vjen nga ajo që po ndodh në Ukrainë me Rusinë, me Kinën si partnere e saj dhe me Serbinë.
“S’e di çfarë ka parasysh opozita me cenimin e sigurisë por sfidat e sigurisë janë të njohura vitet e fundit duke parë edhe zhvillimet në rajon dhe atë që po ndodh me luftën në Ukrainë, sjelljen e Rusisë, lidhjet e Kinës, por që ndihet edhe në rajone të tjera, te sfidomi i BE-së dhe SHBA-të, si me rastin e Tajvanit, Lindja e Mesme dhe deri në Amerikën Latine. Të gjitha këto nuk është se nuk e prekin Shqipërinë, se kemi edh sjelljen e Serbisë në rajon, në raport me Kosovën, e këto janë problematika që sfidojnë paqen e stabilitetin dhe përbëjnë probabilitet kërcënimi”, tha ai.
Koçi nuk i mungoi edhe kritikat për opozitën, duke e akuzuar se në disa raste ka bërë aksione që e cenojnë këtë siguri:
“Por edhe zhvillimet e brendshme janë rrezik për sigurinë publike, si veprimet e opozitës që i kemi parë, sjellje për shkak të faktorëve jo dashamirës ndaj Shqipërisë. Por ka edhe gjëra të tjera si korrupsioni apo krimi, që përbëjnë rrezik për sigurinë e që përdoren nga aktorë të caktuar”, përfundoi ai.