AKTUALITET, 1 Tetor 2025, 20:17

Paketa e Maleve, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miraton 4 zona të reja zhvillimi

Paketa e Maleve, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miraton 4 zona të reja

Nisma qeveritare “Paketa e Maleve”, e prezantuar me synimin për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet në zonat malore të Shqipërisë po ngjall interes për investime.

Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi sot shpalljen e 4 zonave prioritare për zhvillim.

Zonat e përzgjedhura janë njësitë administrative Gjinar, Funar, Tregan dhe Shushicë të cilat përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik e mjedisor për qytetin dhe rajonin.

Ky vendim bazohet në ligjin “Për Paketën e Maleve” si dhe në udhëzimet përkatëse të miratuara nga Ministria e Pushtetit Vendor, duke synuar nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit rural e natyror, si dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore e kulturore të zonave.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se këto zona kanë potencial të lartë zhvillimi dhe po tërheqin interes të madh nga bizneset dhe investitorët, ndërsa prioritet mbetet zhvillimi i turizmit malor dhe ekoturizmit.

Gjinari, i njohur si “xhevahiri natyror” i Elbasanit, ofron potencial për zhvillimin e turizmit malor, ekoturizmit dhe përpunimit të bimëve mjekësore.

Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet e tij natyrale, shihet si një destinacion i ardhshëm për turizëm kulturor, rural dhe sporte e aventurës.

Nga ana tjetër, Tregani, me ujërat termale, mbetet një atraksion i veçantë për turizmin shëndetësor e relaksues. Aktualisht zona më e frekuantuar e Elbasanit me mbi 9 mijë vizitorë çdo vit.

Ndërsa Shushica (Bysheku), vetëm pak kilometra nga qyteti, konsiderohet një zonë me potencial për turizëm familjar, bujqësi dhe kulinari tradicionale.

Një zhvillim më të madh Shushica pritet të marrë në vijim teksa bëhet zona më e afërt me autumotoparkun dhe koridorin e VIII ç’ka do të ndikojë drejpërdrejt në zonën e Shushicës dhe jo vetëm.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja u shpreh se prioritet mbetet zhvillimi i qëndrueshëm dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore në shërbim të qytetarëve dhe rajonit.

Aplikimet për “Paketën e Maleve” do të vijojnë përgjatë gjithë vitit për qytetarët dhe emigrantët që duan të investojnë në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fillim të gushtit në qarkun e Elbasant ka pasur 348 aplikime për “Paketën e Maleve”.