AKTUALITET, 9 Mars 2022, 19:08

Shehaj: Tregu i karburanteve jashtë kontrollit të qeverisë! Çmimi s’mund të ndryshohet tri herë brenda ditës

Shehaj: Tregu i karburanteve jashtë kontrollit të qeverisë!

Nënkryetarja e LSI për Tiranën, Brisida Shehaj, deklaroi në emisionin 'Task Force' në Syri Tv se çmimi i naftës nuk mund të ndryshohet tre herë brenda ditës. Shehaj theksoi se qeveria shqiptare e ka jashtë kontrollit tregun e karburanteve.

"Të gjitha kompanitë e mëdha, dhe kur bëjnë zhdoganimin, një anije, dy anije maksimumi në muaj sjell, dhe kur i bën zhdoganimet nuk i bën çdo ditë nga pak, por 1 herë apo dy herë në muaj. Nuk e di si ju ndryshon çmimi këtyre tre herë brenda ditës që do të thotë se shteti shqiptar e ka këtë treg jashtë kontrollit",  tha Shehaj.

Brisida Shehaj theksoi se administrata tatimore nuk i mban në kontroll kompanitë. Sakaq, Shehaj komentoi edhe nismën e LSI për të ulur taksat e karburantit.

"Në 2014 kur filloi aksioni i parë në këtë sektor, kishim 800 pompa të deklaruara në tatime. Me një aksion në 48 orë vajti në 3600-3800 numri i tyre. Sa evazion kishte në këtë fushë. Janë dy kompani sot, nëse njëra deklaron 12 milaiardë lekë qarkullim në vit, deklaron 400 milionë lekë tatim fitimi.

Kompania tjetër deklaron 6 miliardë lekë qarkullim, gjysma e të parës, deklaron 1/9 e tatim fitimit, 45 milionë lekë. TVSH-ja nga rritja e çmimit që merr, kur bën buxhetin, ke bërë përllogaritje. Nuk po të themi stopo vjedhjen, por hiq këtë 300 lekëshin për litër, në buxhet nuk humbet asgjë.”-tha Shehaj.

Shehaj deklaroi se shteti po e lë vetë qëllimisht që çmimi i naftës të rritet pasi zotërinjtë kanë paratë në këto biznese.

"Të hapen dosjet e prokurorisë, do shohësh 80 për qind të atij tregu", tha Shehaj.