AKTUALITET, 9 Mars 2022, 14:58

Afera e resortit në bregdet, Shehaj: Ministrja Xhaçka të dorëzojë mandatin, SPAK të nisë hetimin!

Afera e resortit në bregdet, Shehaj: Ministrja Xhaçka të

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, në një reagim të tij në rrjetet sociale, ka kërkuar që ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka të japë dorëheqjen dhe të dorëzojë mandatin e deputetes, pasi sipas tij, ka përfituar nga pronat dhe financat publike, duke i bërë thirrje SPAK-ut të hetojë mekanizmin korruptiv të dhënies së pronave publike anëtarëve të qeverisë.

Postimi i plotë

Ligji i investimeve strategjike u miratua për të ftuar investitorë të huaj të investonin në bregdetin shqiptar. Sot, ky ligj po përdoret nga qeveria dhe konkretisht ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, për të përvetësuar bregdetin dhe prona publike.

Sipas investigimit të BIRN, në këtë aferë korruptive janë përfshirë Kryeministri, vetë ministrja, bashkëshorti i saj ish-deputet dhe kunata.

E gjithë kjo aferë po tentohet të kalohet në heshtje, pavarësisht shkeljes flagrante të ligjit për konfliktin e interesit.

Kjo është një aferë e pastër korruptive, ministrja Xhaçka duhet të japë dorëheqjen dhe të dorëzojë mandatin e deputetes sepse ka përfituar nga pronat dhe financat publike.

Gjithashtu SPAK duhet të hetojë mekanizmin korruptiv të dhënies së pronave publike anëtarëve të qeverisë.