AKTUALITET, 12 Tetor 2023, 23:22

Sejamini: Shteti garanton teorikisht klinikat private, por praktikisht korruptohet

Sejamini: Shteti garanton teorikisht klinikat private, por praktikisht

Analisti Neritan Sejamini bën përgjegjës shtetin dhe institucionet e tij për ngjarjet e rënda në shëndetin publik. Sejamini deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se roli i shtetit nuk është asnjëherë zero, por problemi është kur shteti garanton teorikisht, por korruptohet praktikisht.

“Për të gjitha që kanë të bëjnë me shëndetin publik shteti është përgjegjës në instancë të fundit, sepse shteti ka për detyrë garantimin e jetës dhe pronës së individit. Nëse ne kemi shëndetësi private që ka të bëjë me jetën e individit, roli i shtetit nuk është asnjëherë zero. Edhe ata që janë liberalë të fortë e pranojnë se duhet të ketë spitale, siguracione dhe klinika private. Ai zotëria (Guri Spahiu) ka vajtur te një klinikë sepse ka menduar se këtë e licensuar shteti. Nëse shteti do të thoshte se unë nuk njoh asnjë klinikë private, ti mendon se do të shkonin qytetarët te ajo klinikë?

Problemi është kur shteti garanton teorikisht, por korruptohet praktikisht. Shteti thotë: të gjitha këto i kam lisencuar unë dhe ndërkohë korruptohet kur nuk duhet licensuar. Nuk ka procedurë dentare që nuk bëhet në Shqipëri. Shumë operacione nuk bëhen sot në spitalet shtetërore.   

Nëse në një pallat ka një klinikë ajo duhet të ketë hyrje të veçantë jo me qytetarët, vend të veçantë për plehrat, ashensor të veçantë. Sot në Shqipëri, nëse ka klinika ku hyhet nga hyjnë qytetarët janë të gjitha të paligjshme. Nëse hyn një pacient me sëmundje ngjitëse, ai s’mund të hyjë në një ashensor ku hipin qytetarët. Nëse do të nxjerrësh poshtë mbetjet shëndetësore që janë më të rrezikshmet s’mund t’i nxjerrësh nga ashensori i qytetarëve dhe t’i hedhësh në kazanin e qytetarëve. Nëse do t’i nënshkrohesh një ndërhyrjeje kirurgjikale ti duhet të kesh një ashensor që merr barrelën, sepse personi që po transportohet mund të jetë në gjendje të palëvizshme. Si do ta marrësh atë hopa në ashensorët tanë 2 metra këtrorë? Atëherë, nëse shteti thotë se unë do ta licensoj klinikën vetëm nëse ka hyrje të veçantë, me këtë ashensor, me këtë system kamerash e me këtë sistem të sigurisë kundër zjarrit, atëherë ne mund të diskutojmë privatin apo shtetin. Por deri këtu ne akuzojmë shtetin se nuk ka zbatuar ligjet që ka nxjerrë vetë.

Roli i privatit është i rëndësishëm sidomos në stomatologji, sepse nuk ka stomatologji publike në botë, por roli rregullator dhe supervizor i shtetit është i pazëvendësueshëm”- u shpreh Sejamini.