TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një seancë për vlerësim mase sigurie për pesë të arrestuar në Pogradec në lidhje me një ngjarje të rëndë të pak ditëve më parë ku u qëllua me armë zjarri djali i një biznesmeni, u zhvillua në mënyrë jo fort të zakontë.
Dhjetëra familjarët mbushën sheshin përpara gjykatës, ndërsa seanca zhvillohej me dyer të mbyllura. Pavarësisht pranisë së shumtë të familjarëve të të pesë të arrestuarve, gjykata i la që të gjithë prapa hekurave. Kështu, në “Arrest me burg” u lanë shtetasit, Fatjon Bono, Kristian Kresto, Hekuran Gjona, Ledion Shkullaku dhe Rudi Shaho. Ndaj tyre, Prokuroria e Pogradecit ka ngritur akuzat “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Pesë të rinjtë u arrestuan një ditë pas ngjarjes së rëndë në Pogradec ku mbeti i plagosur me armë zjarri 23- vjeçari, Johan Muçllari. Ndërsa dy autorët që qëlluan me armë dhe me thikë ndaj të riut janë ende në arrati, pesë bashkëpunëtorët e tyre përfunduan në pranga. Të arrestuarit nga mosha 22 deri në 32 vjeç kanë ndihmuar autorët që të largohen nga vendi i ngjarjes nëpërmjet tri automjeteve, të cilat janë sekuestruar nga Policia.
Në këtë mënyrë, autorët e dyshuar të ngjarjes, shtetasit Firdeus Berberi dhe shoku i tij, Griseld Maxhari, ia kanë dalë të largohen nga vendi i krimit dhe për pasojë t’i shpëtojnë prangave të Policisë. Nga hetimet e Policisë, ka rezultuar se Fatjon Bono, 32-vjeç, kishte në përdorim një automjet tip “Volkswagen Golf”, i cili sipas Policisë është përdorur në ngjarje dhe me anë të së cilës janë larguar fillimisht dy autorët. Ndërkohë, një automjet tip “Benz” dhe një tjetër tip “BMWX5”, kanë transportuar më tej shtetasit Firdeus Berberi dhe Griseld Maxhari.
I riu Johan Muçllari u përball sërish me plumba pasditen e së hënës, pas të shtënave me breshëri kallashnikovi në gusht të vitit 2020 në drejtim të hotelit, ku i riu flinte në një nga dhomat. Ndërsa një nga autorët e asaj ngjarje (Ilir Berberi) ndodhet prapa hekurave, i biri i tij Firdeus Berberi tentoi të vrasë me armë zjarri pistoletë djalin e biznesmenit, Jetmir Muçllari. Sherri i nisur pak vite më parë duket se nuk është shuar ende në Pogradec, duke prodhuar ngjarje të rënda, por fatmirësisht pa viktima. Ka qenë viti 2018, kur Johan Muçllari është konfliktuar me Andrea Pilinçin, Meardi Berberi dhe Mariglen Topuzin, konflikt nga i cili u regjistruan disa ngjarje të rënda në vijim.
Kështu, më 1 gusht të vitit 2019, të riut i djegin automjetin tip “BMWX5”, ndërsa një vit më vonë, do të regjistrohej një tjetër ngjarje e rëndë, kësaj here në një hotel në zonën e Drilonit. Të paktën tre karikatorë kallashnikovi u qëlluan në drejtim të hotel “Volorekës”. Midis personave të arrestuar për breshërinë e kallashnikovit, janë shtetasit Ilir Berberi ose “Liri i Rushkës”, Meard Berberi ose “Koro”, Ardian Xhuti, Elvir Haxhia, Anterio Kaloshi, ky i fundit mik i Orgest Bilbilit./Panorama/