TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ngjarje e bujshme ndodhi ditën e djeshme, kur u njoftua se Departamenti i Thesarit në SHBA, ka vendosur sanksione ndaj ish deputetit Aqif Rakipi dhe bosit të mediave, Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu).
Por, që prej ditës së djeshme, deputetët e opozitës, kanë kyçur gojën.
Të gjithë e panë se si njëri pas tjetrit deputetët e PD, ngjisnin shkallët e parlamentit dhe në vend të një qëndrimi, veçanërisht për një ish deputet që akuzohet si person i lidhur me krimin e organizuar, deklaruan se nuk kishin informacion për ngjarjen.
Por përse e ka të vështirë opozita të flasë?
Kjo lidhet sigurisht me shpalljen non-grata të Sali Berishës. Çdo prononcim ndaj Aqif Rakipit, të cilën opozita e ka akuzuar në të shkuarën për ndërhyrje në zgjedhje dhe blerje votash, do të dukej hipokrizi, kur partinë sot e drejton Komisioni i Rithemelimit me në krye Sali Berishën e shpallur non-grata.
Ndaj sot, duket se problemi i Sali Berishës me SHBA-të, është një mundësi e humbur për të gjithë partinë, për të bërë detyrën kryesore që kanë, pra opozitën. Kjo ngre pikëpyetje nëse çështja personale e Berishës do të shndërrohet në një problem për të gjithë partinë.
Ky ka qenë edhe argumenti i përdorur nga kritikë të Berishës, se problemi i tij personal mund të kthehet në një barrë për demokratët.
I vetmi person që reagoi fort nga krahu demokrat, është Lulzim Basha, i cili me një pamje triumfaliste, deklaroi se koha i dha të drejtë.
"Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim", shkruan Lulzim Basha.
Ja pse Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit:
Aqif Rakipi (Rakipi) është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim. Ai përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.
Ylli Ndroqi (Ndroqi) është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qënë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media. Gjithashtu, Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri. Ndroqi përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.