TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve Ylli Ndroqin, alias Xhemail Pasmaçiu.
Akuzat e thesarit për Ndroqin, janë shumë të rënda. Aty thuhet se ai ka "zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media".
Sipas Departamentit të Thesarit, Ylli Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri
Si rezultat i vendimit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në prona të individëve ose subjekteve të përcaktuara që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim apo kontroll të personash të SHBA, duhet të bllokohen dhe të raportohen në OFAC. Rregullat e OFAC në përgjithësi ndalojnë të gjitha transaksionet nga qytetarët amerikanë ose qytetarët brenda (ose që kalojnë tranzit) Shteteve të Bashkuara që përfshijnë prona ose interesa në prona të personave të përcaktuar ose përndryshe të bllokuar. Personat e SHBA mund të përballen me ndëshkime civile ose penale për shkelje të E.O. 14033.
Ndroqit i ndalohet hyrja në SHBA.*
Ja çfarë thuhet në përcaktimin e Ndroqit:
Ylli Ndroqi (Ndroqi) është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qënë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media. Gjithashtu, Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri. Ndroqi përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.
*Korrektim: Në një version të mëparshëm të këtij shkrimi, thuhej se familjarëve të Ylli Ndroqit dhe Aqif Rakipit, u ndalohet hyrja në SHBA. Artikulli është redaktuar, sepse familjarët nuk janë pjesë e sanksioneve të Departamentit të Thesarit. Megjithatë, në njoftimin e Thesarit thuhet se: "Si pjesë e këtij vendimi, Departamenti i Shtetit përcakton publikisht individë nga Maqedonia e Veriut dhe Bosnie-Hercegovina sipas Seksionit 7031(c) të Aktit të Buxhetit të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ngjashme, 2022, duke vendosur atë që rëndom njihet si ndalim i vizave. Departamenti i Shtetit përcakton gjithashtu edhe pjestarët e familjes së tyre të ngushtë sipas 7031(c). Ky vendim i bën ata dhe pjestarët e familjes së tyre të ngushtë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara".