AKTUALITET, 12 Prill 2022, 11:34

Dyshime për armë kimike në Ukrainë, reagojnë autoritetet vendase: Forcat ruse mund të kenë përdorur armë me fosfor

Dyshime për armë kimike në Ukrainë, reagojnë

Dyshimet për përdorim të armëve kimike në Ukrainë nga ushtria ruse, janë ngritur nga autoritetet britanike dhe Batalioni Azov, një milici ukrainase e ekstremit të djathtë që lufton në qytetin e Mariupolit.

Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe autoritetet ukrainase.

Zëvendës ministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar ka bërë me dije se ekziston dyshimi se mes municioneve të përdorura nga ushtria ruse, ka municione të cilat përmbajnë fosfor.

“Ukraina po kontrollon informacionin e paverifikuar se Rusia mund të ketë përdorur armë kimike gjatë rrethimit të qytetit portual të Mariupolit në jug të Ukrainës. Informacionet zyrtare do të vijnë më vonë”, tha ajo.

Edhe një deputete ukrainase, Ivanna Klympush, me anë të një postimi në Twitter, u shpreh se si pasojë e një sulmi rus, viktimat kanë përjetuar probleme me frymëmarrjen, duke ngritur dyshimin se simptomat janë pasojë e përdorimit të këtyre lloj armësh.

Dyshimet për një sulm të tillë, shtohen edhe më tepër nëse kemi parasysh thirrjen e bërë dje nga zëdhënësi i separatistëve të rajonit të Donetskut, Eduard Basurin.

Ai kërkoi publikisht që Rusia të përdorë njësinë e saj të mbrojtjes kimike, biologjike dhe radiologjike për të fituar luftën.