TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tirana mirëpret edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, një ngjarje që deri më 15 prill bashkon në kryeqytet personalitete nga politika, ekonomia, shkenca dhe arti, me synimin për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve kudo në botë.
Nën moton “Diaspora rikthehet në shtëpi!”, aktivitetet nisin këtë mbrëmje në orën 18:00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes.
Në dy ditët në vijim do të zhvillohen gjithsej 17 panele diskutimi, 8 prej tyre më 14 prill dhe 9 më 15 prill, ku do të trajtohen çështje që lidhen me zhvillimin, bashkëpunimin dhe rolin e diasporës shqiptare në rajon dhe më gjerë.
Samiti është përshëndetur edhe nga eurodeputeti shqiptar, Adnan Dibrani përmes një videomesazhi.
“Gjatë gjithë kohës si politikan, edhe në Stockholm, por edhe në Parlamentin Europian, kurrë rrënjët e mia nuk i harroj. I lindur në Mitrovicë, i rritur në Suedi, mburrem që jam shqiptar, edhe të gjithë e dinë që jam shqiptar”, thotë ai.
Në fund të samitit nënshkruhet marrëveshja mes Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë.
Ky edicion i katërt vjen si një tjetër përpjekje për të forcuar bashkëpunimin dhe për të dëshmuar se Shqipëria mbetet një, e pandarë, kudo ku jetojnë shqiptarët.
Tirana mirëpret Samitin e IV të Diasporës, sot Ceremonia e Mirëseardhjes në TKOB
Kryeqyteti shqiptar mikpret sot një nga ngjarjet më të rëndësishme mbarëkombëtare të vitit. Nga dita e sotme deri më 15 prill 2026, Tirana kthehet në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota përmes Samitit të Katërt të Diasporës, që vjen me moton frymëzuese: “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”.
Samiti do të zhvillohet kryesisht në ambientet e Pallatit të Kongreseve në datat 14-15 prill, ndërsa ditën e sotme në orën 18.00 Ceremonia e Mirëseardhjes do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e personaliteteve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasat e një feste të vërtetë kombëtare.
Aktiviteti do të ofrojë një program të larmishëm me panele tematike, ku pjesëmarrësit do të mund të eksplorojnë fusha të ndryshme interesi si ekonomia, inovacioni, arsimi, shëndetësia, arti dhe ruajtja e identitetit kombëtar.
Disa nga panelet dhe ngjarjet kryesore të ndara sipas tematikave: Ekonomia, inovacioni dhe zhvillimi; diaspora partner në biznes dhe inovacion; zhvillimi lokal dhe rural (kryebashkiakë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës do të diskutojnë mbi rolin e diasporës në zhvillimin lokal); integrimi evropian; edukimi, shkenca dhe shëndetësia; mësimi digjital dhe gjuha shqipe; Diaspora dhe kërkimi shkencor (Programi READ); sistemi shëndetësor; kultura, identiteti dhe bashkëpunimi politik; Bota arbëreshe dhe identiteti kombëtar; diaspora mbarëshqiptare; mëngjesi i vëllazërimit (një takim unik mes klerikëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare në diasporë (SHBA, Zvicër, Gjermani etj.), në një lutje të përbashkët për Shqipërinë); arti, sporti dhe gastronomia; rrënjë dhe udhëtime; Softpower-i sportive; zërat e diasporës (TKOBAP); aktivitete paralele dhe ekspozita.
Përgjatë të gjitha ditëve, ambientet e Pallatit të Kongreseve do të gumëzhijnë nga aktivitete mbështetëse, duke përfshirë:
Takime B2B dhe rrjetëzim për bizneset e diasporës.
Hapësira promovuese “Made in Albania”.
Këndi i Muzeut Besa dhe stenda e traditës popullore.
Ekspozita e posaçme e Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Këndi i Librit “Libri si urë identiteti” me botues dhe shkrimtarë të njohur.
Hapësirë dedikuar Startup-eve shqiptare që synojnë tregun global tek Piramida e Tiranës.