AKTUALITET, 27 Dhjetor 2021, 22:51

Rudolf Marku: Si më futën poezinë e Migjenit në dosje dhe thanë se është e imja

Rudolf Marku: Si më futën poezinë e Migjenit në dosje dhe

Shkrimtari Rudolf Marku, ishte i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku tregoi fragmente nga dosja e tij, që nxjerrin në pah injorancën e atyre, që e konsideronin veten intelektualë në kohën e diktaturës, të cilët mbanin edhe poste të rëndësishme.

Ai tregon se si një poezi të Migjenit, e futën mes fletëve të dosjes së tij, duke e konsideruar si të Markut, ku vetë eksperti i gjuhës i cili kishte botuar edhe një libër të Migjenit, nuk arriti ta njihte atë poezi.

"Fusin një fletë me poezi në dosjen time dhe thonë që ja ku është poezia e Rudolf Markut. Pastaj vjedhin 73 faqe nga fletoret e mia dhe shihet që nuk është shkrimi im, por eksperti i shkrimeve urdhërohet të thojë që po është i njëjti shkrim dhe duke thënë kështu, ky ekspertim i çohet një tjetër eksperti, që ishte i shkollës sime, Mark Vuli, një nga njerëzit më të respektuar. Kjo poezi e shkruar në gegnisht i jepet atij, ai bën një ekspertim dhe thotë kjo është një poezi pesimiste.

Në faqen 98 të dosjes është analiza e bërë nga drejtori i shkollës. Pastaj kalojmë te intelektuali Danjel Gazelli, dega e brendshme Lezhës, ky ja çon ministrisë së brendshme. Dalan Shapllo ishte specialisti, sekretar i partisë dhe ky njeri sapo kishte botuar një libër për Migjenin para dy muajsh dhe pas ekspertizës thotë se është një poezi e tmerrshme pesimiste dhe thotë ka një pesimizëm shoqëror, ironia më e madhe këtu është se nuk e vënë re se kjo poezi ishte një poezi e Migjenit dhe këtë se kuptoi as ai njeri që dy muaj më parë kishte botuar librin, se kuptoi se ajo ishte poezia e tij. Ja ku arrinte injoranca e tyre", tha Marku.