AKTUALITET, 11 Nëntor 2022, 11:12

"Rroga e deputetit sa shefi i postës"/ Kryemadhi mbron vendimin e Dumës: Është çështje parash. Me çfarë do të rrisë djalin, paguajë dritat, makinën? 

"Rroga e deputetit sa shefi i postës"/ Kryemadhi mbron vendimin e
Kryemadhi dhe Duma

Monika Kryemadhi mbrojti vendimin e marrë nga ish-deputetja Grida Duma për të dorëzuar mandatin e deputetes, duke u shprehur se ajo kishte arsye ekonomike, por edhe politike. Sipas Kryemadhit, Duma si deputete e opozitës nuk kishte para mjaftueshëm për të jetuar dhe nga ana tjetër në Kuvend ishte goditur politikisht.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tha se largimi i Grida Dumës nga Partia Demokratike nuk është humbje, sepse humbje do quhej nëse ajo do të zhvendosej në Partinë Socialiste. 

Deputetja e Partisë së Lirisë argumentoi për "Euronews" se Duma u largua nga partia për një jetë më të mirë duke qenë se me rrogën e opozitares nuk mbulonte dot shpenzimet e saj.

“Rroga e një deputeti të opozitës është sa një përgjegjës i zyrës së postës dhe është 1 milion e 100 mijë lekë të vjetra. 

Është çështje parash se me çfarë do paguajë Grida Duma?! Do rrisë djalin, me çfarë do paguajë dritat, me çfarë do mbajë makinën? 

Se këto nuk i llogarisni ju asnjëherë,” – u shpreh Kryemadhi.

Ajo shtoi gjithashtu se Duma është fyer dhe bullizuar vazhdimisht. Sipas Kryemadhit, Duma nuk ka pse të rri më në një parlament ku nuk ta jep fjalën më njeri.