AKTUALITET, 11 Nëntor 2022, 10:25

Ish-punonjësi i IT-së plagos me thikë kryebashkiakun e Divjakës dhe shoferin

Ish-punonjësi i IT-së plagos me thikë kryebashkiakun e
Fredi Kokoneshi

Kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi është plagosur sot në qendrën shëndetësore të Divjakës nga një ish-vartës. Bashkë me të është plagosur edhe shoferi që e shoqëronte.

Autori i plagosjes dyshohet se është Ergest Xhelili, ish-punonjës IT-je në bashki që ka nxjerrë thikën në qendrën shëndetësore dhe ka plagosur pushtetarin vendor dhe shoferin e tij. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës ku po marrin trajtim më të specializuar.

Edhe më parë Fredi Kokoneshi ka qenë objekt i sulmeve. Më 12 korrik Kokoneshi u dhunua në mes të qytetit nga Dritan Sterkaj, kushëriri i deputetit socialist Paulin Sterkaj.  Arsyeja e dhunimit ka qenë një shkresë në të cilën Kokoneshi i ka dërguar resortit ku i kërkon prishjen e pishinës, të cilën e ka lejuar vetë si shtesë pa leje dhe më pas bashkia e gjobiti Sterkajn me 80 milionë lekë.

Kjo nuk është hera e parë që kryebashkiakët bien pre e sulmeve në rajonin e Lushnjes. Në dhjetor 2019, teksa ishte bërë gati të niste ditën me një konferencë për mediat për bilancet e vitit 2019, ish-kryebashkiakut Fatos Tushe iu bë atentat nga ish-shoferi i tij Gëzim Saraçi, i cili i hodhi në zyrë një granatë dore. Nga shpërthimi i granatës mbeti i plagosur kryebashkiaku Tushe si dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu.