AKTUALITET, 16 Dhjetor 2024, 10:39

Refuzimi/ Albin Kurti vizitë jashtë Kosovës, nuk shkon për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale

Refuzimi/ Albin Kurti vizitë jashtë Kosovës, nuk shkon për

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte ftuar për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, por nuk është paraqitur pasi ndodhej jashtë vendit. 

Lajmi u bë me dije nga zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi-Hajdari, e cila tha për mediat se qeveria i ka njoftuar se Kurti nuk ndodhet në Kosovë.

Po ashtu ajo theksoi se do t'i dërgojnë sërish fletëthirrje kryeministrit të Kosovës dhe do t'i caktojnë një datë tjetër për ta pyetur. 

Kurti ishte thirrur për të dëshmuar për rastin e rezervave shtetërore, në të cilin janë të implikuar ministrja Rozeta Hajdari dhe afaristi Ridvan Muharremi.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kritikoi më herët sistemin e drejtësisë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi ai pa dhënë më shumë detaje.

Ata u arrestuan në gusht 2024 pas publikimit të disa audio-regjistrimeve, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, të cilët gjatë një bisede pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.