AKTUALITET, 15 Dhjetor 2024, 17:35

Viktima dhe i plagosuri në atentatin e sotëm në Athinë, zbulohen bizneset e Davellës dhe Lulos

Viktima dhe i plagosuri në atentatin e sotëm në Athinë,

Irakli Davella, 47-vjeçari shqiptar i ekzekutuar sot në një atentat në Greqi, rezulton të ketë marrë nënshtetësi greke në vitin 2009, ndërsa është pronar i një lokali në zonën e Peristerit në Athinë.

Mësohet se gjatë verës ai jepte edhe automjete me qira në ishujt grekë.

Në vitin 2006, 47-vjeçari rezulton të ketë regjistruar me vendim të Gjykatës së Sarandës, një biznes Kafe-Bar-Restorant, si dhe tregtimin e artikujve të ndryshëm dhe ushqimor e pije alkoolike me pakicë dhe shumicë në Delvinë, biznes i cili rezulton ende aktiv.

Gjithashtu në vitin 2020 ai rezulton të ketë regjistruar biznes në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol për kultivimin e agrumeve, i cili tashmë është çrregjistruar.

Davella, sipas një dokumenti të Parlamentit grek, ishte pjesë e një grupi ku përfshihen mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018), rezulton edhe emri i Irakli N. Davella.

Mes emrave të këtij grupi, ku janë shumë shqiptarë të tjerë, bie në sy edhe ai i Evis Shytit, një 40-vjec shqiptar i arrestuar këtë vit si pjesëtar i një grupi gjobëvënësish, i përfshirë edhe në një rast shpërthimi eksplozivi në muajin mars në Pire. Grupi ku përfshihet Davella rezulton i akuzuar për “organizatë kriminale”, “vrasje”, “tentativë vrasje”, “gjobëvënie”, “grabitje”, “tentativë mashtrimi”, “pastrim parash” etj.

Si pasojë e atentatit mbetur i plagosur edhe një biznesmen shqiptar, i identifikuar si Edi Lulo, 46 vjeç lindur në Gjon të Pukës dhe banues në Kamëz, Tiranë.

Ai rezulton pronar i shoqërisë tregtare me ortakëri dhe përgjegjësi të kufizuar “ED – LUI” sh.p.k në Durrës, krijuar në shtator 2020. Aktiviteti i shoqërisë rezulton “punime elektrike, hidraulike dhe punime gipsi dhe kartonxhesi”.

Lulo rezulton të ketë mbërritur pak ditë më parë në Greqi, i ardhur nga Dubai. Ai ndodhet i plagosur rëndë në spital, me plagë në kokë e bark.