AKTUALITET, 10 Maj 2022, 19:45

Rama vizitoi Hashim Thaçin në Hagë/ Kreu i PDK, Krasniqi: Shpresoj të takoheni nën diellin e bukur që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën

Rama vizitoi Hashim Thaçin në Hagë/ Kreu i PDK, Krasniqi:

Kryetari i PDK Memli Krasniqi ka reaguar pas vizitës së kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama ditën e sotme në Hagë te ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Krasniqi shprehet se sot Rama u kujdes për Kosovën duke kujtuar se vlerat tona solidare shkojnë përtej kufijve ashtu si atëherë kur populli shqiptar i Kosovës luftonte për lirinë e tij.


“Faleminderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës. Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij.

Kjo vizitë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar – luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë.

Duke i kujtuar fjalët e Presidentit Thaçi, në letrën e tij për ju, z. Rama, shpresoj që sa më parë të takoheni duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën”, shkruan Krasniqi.