AKTUALITET, 6 Shkurt 2023, 21:29

“Rama nuk ka rënë”/ Sejamini kritikon euforinë e opozitës: Duhet të gërmojë fakte, të tregojë përmasat e implikimit të kryeministrit me McGonigal

“Rama nuk ka rënë”/ Sejamini kritikon euforinë e

Analisti Neritan Sejamini tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se opozita shqiptare duhet të heqë dorë nga propaganda dhe euforia pas zbulimit të aferës së kryeministrit të Shqipërisë me ish-agjentin e FBI-së, McGonigal. Sipas tij, opozita duhet të mbledhë sa më shumë informacion që të tregojë përmasat e vërteta të këtij skandali dhe implikimin e Ramës kundër opozitës dhe për të përfituar për pushtetin personal.  

“Ne jemi në gjendjen kur drejtësia shqiptare dhe situata politike në vend është ajo që është dhe ne nuk mund të presim që mund të çosh një akuzë diku dhe kjo të fillojë të ndiqet. Nuk mund të presim që kryeministri të mbajë qëndrime morale, sepse nuk ia vlen, ngaqë po flasim për një situatë politike dhe të drejtësisë që nuk funksionon, ashtu siç ne e mendojmë. Në këto kushte një gjë është shumë e rëndësishme, që opozita të gërmojë fakte për të furnizuar këtë çështje.

Prokurorisë i duhen çuar padi për çështje të veçanta që t’i ndjekë. P.sh. z.Neza, që është qytetar shqiptar mund të ndiqet për ato 225 mijë dollarë, kanë dalë apo s’kanë dalë këto para nga Shqipëria. Kemi tenderin tjetër që nuk është përmendur i “Ernst & Young”, ku kryeministri pas një darkë me përfaqësuesin e saj, ka bërë pas dy muajsh një kontratë me këtë kompani, pa bërë tender. Madje ky hetim po të bëhet nga prokuroria bën lajm ndërkombëtar, sepse është një nga kompanitë më serioze në botë, dhe po ta hetosh ti, ndërsa është në hetim edhe në SHBA, do s’do ti, hedh dritë mbi këtë çështje dhe bën një casus. Nga opozita ka eufori dhe shumë zhurmë propagandistike, ku fliten shumë gjëra dhe lajmërohet që Rama ka rënë, Rama ka mbaruar. Rama nuk ka rënë, nuk ka mbaruar dhe me shumë gjasa do t’ia hedhë këtij skandali.

Ajo që mund të bëjmë ne sot është që të gjejmë sa më shumë informacion dhe ta bëjmë sa më të gjallë dhe më të thellë këtë skandal për të qenë  e qartë për të gjithë se çfarë ka ndodhur. Dëmi më i madh që mund t’i vijë z.Rama në këtë histori është të dalë e vërteta për implikimin e tij në luftën kundër opozitës, për ndikimin, se sa të përpiqemi ta dënojmë në mënyrë penale, sepse në Amerikë ai s’ka për t’u dënuar, në Shqipëri me drejtësinë tonë nuk ka për t’u dënuar. Pra hajdeni të merremi me çështjet e tjera që janë të vërteta dhe të tregojmë  përmasat e ndikimit të paligjshëm që ai ka bërë për të sulmuar opozitën, për pushtetin e vet”-tha Sejamini.