AKTUALITET, 6 Shkurt 2023, 19:34

Berisha: Rama firmosi grabitjen e Portit të Durrësit!

Berisha: Rama firmosi grabitjen e Portit të Durrësit!

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e qeverisë, Edi Rama se në një kohë kur është publikuar skandali me ish-zyrtarin e FBI-së, firmosi grabitjen e Portit të Durrësit.

Në fjalën e tij gjatë një takimi me gratë e PD-së, Berisha tha se Rama u vodhi shqiptarëve një prej pasurive publike më të rëndësishme për qytetarët, dhe ua dha kompanive “offshore”.

Kreu i PD-së u ndal edhe tek largimi i shqiptarëve. Ai u shpreh se që nga viti 2014 deri në vitin 2022, nga Shqipëria u larguan 935 mijë qytetarë drejt vendeve të BE-së.

Berisha: Tani ne vijmë në një fazë të një rëndësie jetike për demokracinë dhe për vendin. Për një seri shkaqesh, PD-ja prej 10 vitesh është në opozitë. Ky 10-vjeçar, solli një fatkeqësi të madhe kombëtare. Një parti në opozitë mund të rrijë 10-12 vite. Ndodh në vendet demokratike ku performojnë qeveritë. Kjo qeveri, pas 10 vitesh ia doli të instalojë monizmin e plotë në Shqipëri. Ia doli që kryeministri i vendit të vendosë nën kontroll të gjitha pushtetet. Ia doli të shndërrojë drejtësinë në një degë ekzekutivi. Për fatin më të keq, të vendosë kontroll mbi opozitën. Në këto përpjekje, duhet t’i themi gjërat haptaz, ai nuk ishte i vetëm në këto përpjekje, ai pati mbështetje të fuqishme të personave shumë të fuqishëm.

Me të cilët, projektoi shkatërrimin e opozitës. Për fat të keq, këta persona kësaj here ishin nga partneri ynë kryesor, vendi që fryumëzon më shumë se çdo vend tjetër, pluralitet, kontroll pushtetesh. Vendi që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Edi Rama ka shfrytëzuar korrupsionin, metoda të tjera në mënyrë që të luftojë në kundërshtim me çdo parim dhe vlerë opozitën shqiptare. Nëse ju bëni një bilanc sot, ka qëndruar në pushtet si një pushtues, si një njeri që i urren këta njerëz.

Statistika e fundit e këtyre 3 ditëve të fundit, tregon se nga Shqipëria, nga viti 2014-2022, për në BE janë larguar 935 mijë shqiptarë. Pothuajse një milion shqiptarë. Nuk përfshihen ata që janë larguar në SHBA, Kanada, Angli dhe vende të tjera. Nga ka komb tjetër më shpresëvrarë se sa kombi ynë. Asnjë luftë lokale, rajonale e botërore nuk ka arritur të pakësojë me të paktën 33% një komb. Maksimumi kanë humbur polakët në Luftën e Dytë Botërore, 20% të popullatës. Edi Rama ka arritur ta çojë Shqipërinë përpara alternativës “të jetë apo të mos jetë”. Çdo ditë e tij në pushtet është ndëshkim për çdo shqiptar.

Një person i papërmbajtur në vjedhje, në kulmin e damkosjes së tij në të gjithë botën, firmoste marrëveshjes për grabitjen e Portit të Durrësit, me kompanitë e tij offshore. Në kulmin e varfërisë, vjedh dhe shpërdoron sipas KLSH-së, në 9 muaj, 122 mld lekë. Me këto para, 2/3 e tyre, rrogat e shqiptarëve çdo vit mund të dyfishohen. Kurse ato përfundojnë nëpër tubat e ajrimit, nëpër dysheqet dhe kontot offshore të Edi Ramës.